Shfaqen ruspat e ndërtimores në Sarandë

Qyteti i Sarandës (foto arkiv)
Rishfaqen ruspat kundër ndërtimeve pa leje, në kryeqytetin e degradimit urbanistik, Sarandë. Inspektoriati Ndërtimor Urbanistik Kombëtar, ka zbatuar në terren shkatërrimin e një sërë ndërtimesh në qytetin jugor bregdetar, sipas një liste të hartuar nga Bashkia e Sarandës. Aksioni është shoqëruar me një prezencë të forcave speciale të ardhura nga Tirana.
Objektet e goditura kanë qenë kryesisht kioska dhe shtesa lokalesh në shëtitoren buzë detit, si dhe disa ngrehina betoni në ndërtim e sipër, në lagjen nr.4. Pronarët e tyre kanë reaguar vetëm duke thënë se prishjet janë selektive nga ana e Bashkisë, pasi të goditurit rezultojnë të jenë të gjithë njerëz të afërt më PD-në lokale.
Ndërkohë, nga Inspekoriati Ndërtimor Sarandë, u tha se po vijon puna për evidentimin e të tjera objekteve në qytetet të ndërtuara pa leje. /E.Hoxha/