Mandati i Xhaçkës, Kuvendi: Opinioni i Venecias do të botohet sipas rregullave

TIRANË, 6 dhjetor /ATSH/ Zyra e Shtypit e Kuvendit njoftoi sot lidhur me opinionin e Komisionit të Venecias lidhur me mandatin e deputetes Olta Xhaçka.
Zyra e Shtypit e Kuvendit bëri të ditur sot se, “opinioni i kërkuar nga Kryetarja e Kuvendit, me shkresën nr. 3457, datë 13.09.2024, është miratuar nga Komisioni i Venecias, në mbledhjen e mbajtur sot më datë 6 Dhjetor, në Venecia, Itali”.
“Ky Opinion do të botohet nga Komisioni i Venecias, sipas rregullave dhe procedurave të aplikueshme prej tij”, thekson Zyra e Shtypit e Kuvendit.
“Deri në datën e publikimit, Kryetarja e Kuvendit, në cilësinë e kërkueses së këtij opinioni, do të vijojë të respektojë ruajtjen e konfidencialitetit të dokumentit në fjalë, siç ka bërë deri më sot, në zbatim të detyrimeve që përcaktohen në rregullat e punës së Komisionit të Venecias”, thuhet më tej në njoftim.
Më herët Grupit Parlamentar i Partisë Demokratike reagoi ndaj një lajmi të publikuar në disa media, duke e cilësuar atë si fake news.
“Sot në disa media, është shpërndarë një fake news i prodhuar nga Zyra e Kyetares së Kuvendit, që i paraqitet opinionit publik si qëndrim i Komisionit të Venecias apo burim special e konfidencial nga Komisioni i Venecias”, thuhet në reagim.
“Mbajtja të fshehtë e draftopinionit të Komisionit të Venecias që është miratuar sot, apo përjashtimi i opozitës nga ky proces, ka patur si qëllim pikërisht dezinformimim e opinionit publik përmes prodhimit të lajmeve të pavërteta të sajuara nga Kryetarja e Kuvendit dhe me fjali të nxjerra jashtë kontekstit të opinionit të Komisionit të Venecias”, theksohet në reagim.
“Padyshim kur ka trajtuar parimin e mandatit jo detyrues, jo Komisioni i Venecias, por edhe vetë Gjykata jonë Kushtetuese, sqaron që deputetet si rregull janë të lirë të votojnë sipas vullnetit të tyre, por ky rregull sigurisht që nuk ka lidhje me çështjen në fjalë, siç Gjykata Kushtetuese ka sqaruar”, vijon reagimi.
“Grupi Parlamentar i PD i bën thirrje mediave që të tregohen të matura në informimin e publikut dhe të presin publikimin e opinionit të Komisionit të Venecias apo t’i referohen vetëm burimeve zyrtare apo serioze për informim mbi këtë çështje, duke refuzuar çdo fake news që konsideron Elisa Spiropalin si Komisioni i Venecias”, thuhet në reagim.
“Grupi Parlamentar i PD dënon me forcë sjelljen dezinformuese të Kryetares së Kuvendit që synon të krijojë konfuzion në opinionin publik, vetëm me qëllim që të mbrojë pandëshkueshmërinë e bashkëpunëtores së Edi Ramës, deputetes strategjike Olta Xhaçka, si dhe të fshehë faktin se për herë të parë në 34 vite Kuvendi ka refuzuar të zbatojë dy vendime të Gjykatës Kushtetuese”, përfundon reagimi.
/r.e/