E Shtunë, 31 Tetor 2026

Mandati i dytë

Hashim Thaçi mori edhe një mandat të ri për të udhëhequr Qeverinë e Kosovës. Por kësaj here me vështirësi të mëdha. Rizgjedhja e tij ishte e lidhur me votimin e Behgjet Pacollit. Thaçi u detyrua që fillimisht t’i eliminojë kundërshtarët brenda partisë. Ndryshe nga mandati i parë, tani do të përballet me një opozitë të fuqishme. Nga Valmir Klaiqi më 23 shkurt 2011 në ora 08:50

Kryeministri Hashim Thaçi të martën ka qenë personi më i stresuar në ambientet e Parlamentit të Kosovës.

Çdo dështim i mundshëm i votimit të Presidentit, do ta ndalte ambicien e tij për formimin e Qeverisë së re.

Për këtë arsye, ai deri pas votimit të Presidentit Behgjet Pacolli nuk përmendi asnjë emër të anëtarëve të kabinetit qeveritar, sepse vendi mund të shkonte sërish në zgjedhje të jashtëzakonshme në rast se do të dështonte votimi i Presidentit në raundin e tretë.

Kreu i Partisë Demokratike nuk e kishte problem marrjen e votave të deputetëve për kabinetin qeveritar, sepse procesi i votimit ishte i hapur dhe në këtë mënyrë ka siguruar 65 votat e deputetëve. Vetëm deputetja serbe, Rada Trajkovic votoi kundër.

Kjo e fundit madje para votimit ka dhënë edhe arsyet pse nuk e voton Qeverinë e Kosovës, duke përmendur me këtë rast edhe raportin e Dick Martyt, i cili akuzon kryeministrin Thaçi dhe udhëheqës të tjerë të ish-UÇK’së për trafikim të organeve njerëzore.

Gjatë kohës sa Trajkovic akuzonte, deputetët e PDK’së protestonin nëpërmjet trokitjes në tavolinë.

Edhe Muhamet Mustafa nga Koalicioni për Kosovë të Re ka folur para zgjedhjes së Qeverisë, duke bërë vërejtje për pikat e programit qeverisës, megjithatë, nga kryeparlamentari, deklarata e Mustafës dhe e Trajkovicit, u vlerësuan si pozitive, për shkak të, siç ka thënë ai, një fryme opozitare brenda koalicionit.

Para votimit, Thaçi fillimisht ka paraqitur pika të programit qeveritar. Ai tha se partnerët e koalicionit qeverisës do të punojnë për zhvillim ekonomik dhe integrimin e vendit në strukturat euroatlantike, në ndërtimin e mëtejmë të shtetit dhe implementimin e Planit Ahtisaari.

Duke rikujtuar se muajt e fundit kanë qenë sfidues për institucionet e Kosovës, mandatari për formimin e qeverisë së re, Hashim Thaçi është zotuar se do të punohet për përmirësimin e imazhit të Kosovës, ndërkaq ka falënderuar qytetarët për besimin e dhënë për formimin e Qeverisë, ndërsa është zotuar se do të shërbejë për interesat e qytetarëve, duke vënë mbi të gjitha interesin e qytetarëve dhe të Kosovës.

Meqenëse partitë opozitare nuk ishin të pranishme gjatë procesit të votimit të Qeverisë, nuk pati debat për Qeverinë.

Kryeministri i rizgjedhur, Hashim Thaçi, pas dhënies së betimit, është zotuar se do të kryejë detyrën e tij si Kryeministër me mandatin katërvjeçar me përgjegjësi të plotë për një Kosovë europiane, në shërbim të të gjithë qytetarëve.

“Ju falënderoj juve deputetë të nderuar për besimin tuaj, i falënderoj gjithë qytetarët e Republikës së Kosovës për besimin e tyre në vizionin tim për të ardhmen e Kosovës dhe ekipin tim që është këtu pranë meje. Unë zotohem se do t’u shërbejë gjithë qytetarëve të vendit, do të kem bashkëpunim të ngushtë në interes të vendit me gjithë partitë politike, shoqërinë civile, me gjithë faktorët relevantë të shoqërisë kosovare. I falënderoj për mbështetje gjithë komunitetin ndërkombëtar, Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe vendet e Bashkimit Europian”, ka thënë Thaçi.

Kabineti qeveritar
Hajredin Kuçi - zëvendëskryeministër i parë dhe ministër i Drejtësisë, Mimoza Kusari - zëvendëskryeministre dhe ministre e Tregtisë dhe Industrisë, Sllobodan Petrovic - zëvendëskryeministër dhe ministër i Pushtetit Lokal, Edita Tahiri dhe Bujar Bukoshi - zëvendëskryeministra, Enver Hoxhaj - ministër i Jashtëm, Vlora Çitaku - ministre e Integrimeve Europiane, Agim Çeku - ministër i Forcës së Sigurisë, Bajram Rexhepi - ministër i Punëve të Brendshme, Bedri Hamza - ministër i Financave, Memli Krasniqi - ministër i Kulturës Rinisë dhe Sporteve, Besim Beqaj - ministër i Zhvillimit Ekonomik, Ramë Buja - ministër i Arsimit, Mahir Jagxhillar - ministër i Administratës Publike, Fehmi Mujota - ministër i Infrastrukturës, Blerand Stavileci - ministër i Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, Ferid Agani - ministër i Shëndetësisë, Nenad Rashiq - ministër i Punës dhe Mirëqenies Sociale, Dardan Gashi - ministër i Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor dhe Radojica Tomiq - ministre për Komunitete dhe Kthim.

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›