E Shtunë, 31 Tetor 2026

Fëmijët e luftës

Shkolla në bunker, të shtëna të vazhdueshme, për 1425 ditë të burgosur në qytetin e tyre: para 15 viteve në Sarajevë përfundoi rrethimi më i gjatë në shekullin e 20-të. Të rinjtë, të cilët janë rritur në këtë rrethim, rrëfejnë për jetën e tyre gjatë luftës dhe gjurmët që ka lënë ajo. Nga Express më 23 shkurt 2011 në ora 08:54

Se si filloi e tëra, thotë Dejan Begic, këtë ai sot nuk e di, por disi kështu: katër shtete, Sllovenia, Kroacia, Maqedonia dhe Bosnja, deshën të pavarësohen nga Jugosllavia. Shteti i pestë dhe i gjashtë, Serbia dhe Mali i Zi, deshën ta parandalojnë një gjë të tillë. “Dhe më pas”, thotë Begic, “të gjithë filluan të shkrepin në drejtim të njëri-tjetrit”. “Atëbotë kisha nëntë vjet”.

Në vitet e 90-ta filloi lufta në Bosnje. Jugosllavia po shpërbëhej, ndërsa në Bosnje filluan të shtohen tendosjet mes boshnjakëve, serbëve dhe kroatëve të Bosnjës.

Pasi që Bosnja shpalli pavarësinë në vitin 1992, filluan luftimet e ashpra mes pjesëtarëve të këtyre tri grupeve etnike. Njësitë paramilitare dhe Armata Jugosllave, e dominuar nga serbët, me anë të spastrimeve etnike dhe masakrave të shumta, si ajo e Srebrenicës, i kallën tmerrin popullatës civile.

Një nga arenat më të përgjakshme të luftës në Bosnje ishte Sarajeva. Armata Jugosllave e mbajti të rrethuar këtë qytet për 1425 ditë.

Nga malet serbët hapnin zjarr kundër çdo gjëje që lëvizte, me granatahedhës, snajperë dhe nga tanket. Për gati katër vjet me radhë, Sarajeve ishte një burg i madh nën qiell të hapur. Gati 11 mijë banorë vdiqën nga 4 prilli i vitit 1992 deri më 26 shkurt të vitit 1996, në mesin e tyre 1600 fëmijë. Ishte ky rrethimi më i gjatë në shekullin e 20-të.

Pa rrymë, pa nxemje, pa ushqim: me kalimin e kohës, kjo u shndërrua në një përditshmëri për banorët e Sarajevës. Një gjeneratë e tërë e boshnjakëve u rrit, duke u përballur për çdo ditë me zjarrin e forcave serbe.

Në vend se të luanin në rrugë, të rinjtë vraponin të përkulur nëpër rrugët e qytetit, për shkak të frikës nga snajperistët, për t’u furnizuar me ujë. “Si 11 vjeçar, isha në gjendje të bartja 10 litra në një dorë dhe 10 në tjetrën”, thotë Dejan Begic.

Së paku gjatë luftës nuk kemi qenë kurrë vetëm, thotë Alma Telibecirevic, gjithashtu e rritur në Sarajevë. “Flinim në afërsi të njerëzve të panjohur nëpër podrume, kur forcat serbe hapnin zjarr. Atëbotë unë kam gjetur shumë shokë të rinj”, rrëfen ajo.

Këtë javë mbushën 15 vjet që nga përfundimi i rrethimit të Sarajevës.

Dejan Begic jeton sot në një shpat. Gjatë kohës së rrethimit, ai ka jetuar në një lagje, në lindje të Sarajevës. Tani ai në Sarajevë zbret, vetëm për të kryer punën e tij si udhëheqës i turistëve.

“Shkollën e kemi ndjekur nëpër podrume. Megjithatë, jemi argëtuar. Fëmijët argëtohen gjithmonë. Rrethimi përfundoi kur dolëm në klasën e shtatë, e më pas vijuam mësimet në një shkollë normale”, rrëfen ai.

Ai shton se jeta gjatë luftës ishte disi interesant, por edhe e vështirë, pasi që ushqimi ishte i kufizuar, nuk kishte televizion, radio, gazeta, pra nuk kishte mundësi për t’u informuar dhe njerëzit nuk e dinin se çfarë po ndodhte në anën tjetër të Sarajevës.

“Miqtë, të cilët më vizitojnë sot në Sarajevë, më pyesin se pse në qytet ka kaq pak drunj. Gjatë rrethimit të qytetit janë prerë mbi 250 mijë drunj, për t’u nxehë, e më pas njerëzit për nxehje kanë shfrytëzuar edhe mobiliet dhe librat e tyre. Parqet u shndërruan në ara dhe varësisht nga madhësia e familjes, njerëzve jo ndahej një copë toke për ta punuar. Mbillnim patate, domate dhe karota”, rrëfen Begic.

Ai më tutje rrëfen se jeta në të vërtetë vazhdonte me rrjedhat normale, me organizimin e shfaqjeve teatrore dhe festivaleve të filmit.

“Në një moment, lufta bëhet përditshmëri. Vrapon, dëgjon të shtënat, dëgjon rënien e granatave-të bëhet një. Granatat bëjnë një zhurmë të çuditshme. Në fund të luftës na kanë sulmuar me granata, të cilat në të vërtetë ishin paraparë për të sulmuar aeroplanët. I quanim “granatat e derrit”, ngase bënin të njëjtën zhurmë si derrat. Nëse ishe vërtetë i aftë, në bazë të zhurmës mund ta dije se sa larg është një granatë dhe se ku do të bie ajo”.
Se si fillojë çdo gjë, këtë nuk mund ta thotë askush me saktësi. Lufta filloi në Slloveni, pasoi në Kroaci dhe arriti në Bosnje.

Arsyet për fillimin e luftës dallojnë nga libri në libër, por në fund, të gjithë filluan të shkrepin drejtë njëri-tjetrit dhe lufta përfundoi me shpërbërjen përfundimtare të ish-Jugosllavisë, e cila u kompletua në fund të viteve të 90-ta, me ndërhyrjen e NATO-s, e cila ndërmori sulme ajrore kundër Serbisë, për shkak të fushatës së spastrimeve etnike të ndërmarrë nga ana e serbëve kundër shumicës shqiptare në Kosovë.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›