Gaddafi nuk do të tërhiqet

Udhëheqësi libian, Muammar Gaddafi i është drejtuar popullit me një fjalim në televizion.
Ai tha se frikacakët dhe tradhtarët po përpiqeshin të portretizonin Libinë si vend kaosi ndërsa armiqtë e Libisë po përpiqeshin të njollosnin imazhin e vendit.
Ai tha se ai ishte udhëheqës revolucionar dhe se kjo nënkuptonte sakrificë deri në fund të jetës së tij.
Ai e quajti veten luftëtar i cili i kishte sjellë nder Libisë. Ai tha se do të vdiste si martir në vendin e tij.
Duke ju referuar bombardimit amerikan të Tripolit në të kaluarën, koloneli Gaddafi tha se ata që i quajti superfuqi e dinin se nuk mund ta rrëzonin.
Ai tha se disa njerëz në vend - që ai i quajti një grup i të sëmurëve që po u shpërndanin drogë dhe armë të rinjve - kishin bërë përpjekje të imitonin zhvillimet në Tunizi dhe Egjipt.
Këshilli i Sigurimit të Kombeve të Bashkuara ka filluar diskutimin për krizën në Libi ku protestat anti-qeveritare u ndeshën me një reagim të dhunshëm.
Liga Arabe është duke u takuar në Kajro për të njëjtin qëllim.
Zëvendësambasadori i Libisë në OKB ka thënë se Këshilli do të tentojë të shpallë një zonë ndalim fluturimi mbi Tripoli për të ndaluar sulmet bombarduese nga ata që ai i cilësoi si mercenar të sjell në vënd nga jashtë.
Komisioneri i OKB-së për të drejtat e njeriut, Navi Pillay, tha se përdorimi i forcës ushtarake në gjakderdhjen libiane, shkonte deri në krime kundër njerëzimit.
Qyteti i Tripolit njoftohet se është i tensionuar me rrugë thuajse të boshatisura, por të gjallëruara nga radhët e njerëzve për bukë dhe karburant.
Asnjë zyrë nuk është e hapur dhe shumë pak dyqane janë hapur.
Një korrespondent i BBC në Tripoli thotë se disa rrugë tregojnë shenja të zjarrit dhe kryengritjes ku ka një prani të madhe ushtarake në pikat kryesore.
Linjat e komunikimit cilësohen si te vështira.
Qeveri të ndryshme janë duke bërë përgatitjet e tyre për evakuimin e qyteteve të bllokuara nga dhuna në Libi.
Turqia ka dërguar dy tragete dhe një anije ushtarake, ndërsa Italia, ka dërguar një avjon ushtarak në qytetin lindor të Bengazit.
Franca po dërgon tre avionë në Tripoli për të evakuuar shtetasit francez.
Ndërkohë Egjipti fqinj ka forcuar dislokimin e vet ushtarak përgjatë kufirit, ndërkohë mijëra refugjatë tentojnë të largohen nga luftimet.
Disa mijëra egjiptianë tashmë janë rikthyer nga Libia që kur ka filluar kriza. /bbc/