Mandati ne duart e Jahjages

Ekspertë kushtetues thonë se zonja Jahjaga nëse dëshiron mund të përmbushë mandatin e saj 5-vjecar, që ia njeh ligji themeltar i shtetit.
Një gjë e tillë mund të bëhet pavarësisht se sipas marrëveshjes, presidentja e re do të qëndronte në detyrë deri sa të mbaheshin zgjedhjet e parakohshme.
“Marrëveshja ishte anti-kushtetuese. Kushtetuta nuk lejon marrëveshje, parashikon në mënyrë eksplicite mënyrën e zgjedhjes së presidentit. Kemi një marrëveshje që sheh një mandat 1-vjecar. Zgjidhja është dorëheqja e presidentes, e cila nga ana tjetër ka të drejtë të plotësojë mandatin 5-vjecar. Askush nuk ka të drejtë kushtetuese dhe ligjore të bëjë të kundërtën”, deklaron Abdullah Rrobaj, ekspert kushtetues.
Sipas tij, shkarkimi i saj mund të bëhet vetëm atëherë nëse presidentja kosovare bën shkelje kushtetuese ose është treguar e paaftë për të udhëhequr vendin. Ose me dëshirë jep dorëheqje nga posti.
“Ndryshimet kushtetuese krijojnë pasoja juridike kur hyjnë në fuqi e tutje. Në këtë rast nuk kemi të bëjmë me ligje penale, por me Kushtetutën, e cila parashikon mandatin 5-vjecar për presidenten e Kosovës”, shton Rrobaj.
Ndërkohë, këshilltari politik në presidencë Arbër Vllahiu, në një përgjigje elektronike thotë se, presidentja Atifete Jahjaga në asnjë rast nuk do të jetë pengese për zbatimin e marrëveshjes.
Sipas tij, ajo është zgjedhur dhe do te mbetet presidente e unitetit. Por, nuk e thotë në mënyre të qartë nëse do të jepte dorëheqje në rast se kërkohet.