Mandatin e ardhshëm s’do ketë arsimtarë me pagë nën 700 dollarë
Kryeministri Berisha inauguron shkollën e mesme profesionale kombëtare “Ndre Mjeda” në Bushat, investim me vlerë 140 milionë lekë
Arsimi profesional është një ndër angazhimet kryesore të qeverisë “Berisha”. Tani edhe Bushati ka një shkollë të tillë kombëtare ku mësojnë 160 nxënës me kohë të plotë edhe 200 me kohë të pjesshme. Kryeministri Berisha inauguroi dje shkollën e mesme profesionale kombëtare “Ndre Mjeda” në Bushat, Shkodër, investim me vlerë rreth 140 milionë lekë, financuar nga Bashkimi Evropian (projekti IPA) dhe qeveria shqiptare. Shkolla është ndërtuar sipas standardeve bashkëkohore, e pajisur me 4 laboratorë – informatike, biologjie, kimie dhe mikrobiologjie, me bibliotekë, me palestër të mbyllur. Shkolla shfrytëzon për praktika 14 dynym tokë bujqësore të dhënë nga komuna. Nxënësit kryejnë, gjithashtu, praktika profesionale, sipas profileve përkatëse, edhe pranë fermave të zonës. Gjatë vitit 2012-2013 është ndërtuar konvikti i ri i shkollës, me sipërfaqe 820 m2 dhe kapacitet 200 vende, për nxënësit nga qarqet Shkodër, Dibër dhe Lezhë, investim i buxhetit të shtetit me vlerë 80 milion lekë. Kryeministri Berisha u shpreh se zhvillimi i arsimit profesional përbën një nga objektivat më madhore të sistemit tonë arsimor për 4 vitet që vijnë. “Në vend sot funksionojnë 10 shkolla të këtij profili dhe brenda dy viteve numri i nxënësve në to është rritur me 35 përqind”, tha Kryeministri, ndërsa garantoi se “në 4 vitet që vijnë do të bëjmë gjithçka për të katërfishuar numrin e specialistëve të mesëm të bujqësisë në mbarë vendin”. Ai garantoi edhe njëherë të gjithë arsimtarët, se katër vitet e ardhshme asnjë prej tyre s’do paguhet me pagë nën 700 dollarë.