Konventa/LSI publikon rezultatet e votimit për Komitetin Drejtues
Lëvizja Socialiste për Integrim shpalli dje emrat më të votuar që do të jenë pjesë e Komitetit Drejtues Kombëtar të kësaj partie. Në më pak se 24 orë nga mbyllja e votimeve, LSI bëri publike listën e gjatë të emrave, në të cilën nuk mungonin dhe emrat më të spikatur të LSI-së, si Ilir Meta, Edmond Haxhinasto, Edmond Panariti, Erisa Xhixho, Ilir Dashi, Luan Rama, Nora Malaj, Pëllumb Pipero, Petrit Vasili, Shezai Rrokaj apo dhe Viron Bezhani. Kryetarja e Komisionit të Votimit, Klajda Gjosha bëri publike rezultatet e votimit. Sipas saj, në Konventën Kombëtare Zgjedhore të Lëvizjes Socialiste për Integrim morën pjesë 2209 delegatë, nga të cilët kanë marrë pjesë në votim 2107. “Nga këto 38,6 për qind janë delegate gra. Në përfundim të procesit të votimit i zhvilluar në mënyrë elektronike, rezultojnë të zgjedhur anëtar të Komitetit Drejtues Kombëtar 180 persona që kanë marrë më shumë vota nga 282 kandidatë që ishin në listë. Në zbatim të statutit të Lëvizjes Socialiste për Integrim, kapitulli 11, pika 8, hynë automatikisht në komitet drejtues kombëtar 75 persona”, tha ajo.
Risia e këtij votimi ishte aplikimi i votimit elektronik, ku Lëvizja Socialiste për Integrim u bë partia e parë që theu akullin në këtë drejtim dhe sipas organizatorëve dhe Komisionit Qendror të Konventës Kombëtare Zgjedhore të LSI-së një votim i tillë rezultoi me sukses. Dy ditë më parë, gjatë punimeve të Konventës, Ilir Meta vlerësoi votimin elektronik të aplikuar në këtë konventë. “Unë shpresoj, tha Meta, që standardi elektronik i numërimit fillimisht të zbatohet në Qarkun e Fierit në zgjedhjet e vitit 2013 dhe më pas në të gjithë vendin”. Duke u ndalur në koalicionin e LSI-së me partitë e tjera, kreu i Lëvizjes Socialiste për Integrim theksoi se, “koalicionet nuk janë procese që paravendosen, por ato ndërtohen mbi bazën e bashkëpunimeve dhe diskutimeve me bazë të gjerë, me objektiv për t`i shërbyer integrimit të vendit në BE”.