E Shtunë, 31 Tetor 2026

Manifestimet, Shkodra stacioni i radhës

19/10/2009  Forcat politike që kontestojnë zgjedhjet e 28 qershorit vijojnë protestat

Aksioni politik i së majtës do të përshkallëzohet deri në realizimin e kërkesës

Manifestimet për hapjen e kutive do të vijojnë dhe stacioni i radhës do të jetë qyteti i Shkodrës. Partia Socialiste dhe partitë politike të majta, por dhe partitë e djathta që e mbështesin atë në një nismë të tillë, do të vijojnë të përshkallëzojnë këtë aksion politik, kjo për shkak se tashmë këto parti politike kanë theksuar gjithnjë e më shumë faktin se zgjedhjet parlamentare të 28 qershorit u manipuluan. Për këtë arsye këto forca politik do të vijojnë të ushtrojnë presion ndaj mazhorancës qeverisëse përmes këtyre tubimeve deri në hapjen e kutive të votimit në ato zona ku kërkohet aplikimi i një procesi të tillë. Kështu, pas kryeqytetit socialistët së bashku me aleatët e tyre, që së fundi nuk janë më vetëm partitë e majta, por dhe forca politike pjesë e kampit të djathtë, u zhvendosën në protestën e organizuar në qytetin e Beratit. Kësaj jave do të jenë qytetarët shkodranë mbështetës të këtyre partive, të cilët do të ftohen në tubimin e radhës, ku në qendër është kërkesa për hapjen e kutive të votimit. Sikundër është deklaruar, tashmë pjesë e kësaj protestë të tretë do të jenë përfaqësuesit e PS-së, PSD-së, PDS-së, PBDNJ-së, “G-99”-s, PLD-së, PDK-së, LZHK-së, ish-drejtues të LSI-së përfshirë këtu dhe mjaft përfaqësues të grupeve të interesit. Ndërkohë të tilla tubime do të organizohen dhe në ato qytete ku hapja e kutive të votimit është kërkuar dhe nga parti të tjera veç PS-së. Për këtë arsye pritet që protesta të organizohen dhe në qytetin bregdetar të Durrësit. Madje, socialistët kanë hedhur idenë që dhe Burreli të jetë në listën e qyteteve që do të organizohen tubime. Por i gjithë ky aksion politik do të kulmojë me një tubim të dytë për kryeqytetin, ku pritet një organizim në një formë krejt të re, ndryshe nga protestat e organizuara gjatë kësaj kohe sa i takon kundërshtive për rezultatin e dalë nga zgjedhjet parlamentare të 28 qershorit. “Më 20 nëntor në Tiranë për tu bërë barrikadë njerëzore përballë korrupsionit të manipulimit edhe korrupsionit elektoral, për të hapur kutitë e votave tona, për të çliruar votën tonë nga presioni deformues i pushtetit. Nëse Sali Berisha do të kërkojë të mbajë forcërisht vendimin sovran, ne do ta përballim Sali Berishën me pushtetin e sovranitetit të votës”, - qe shprehur Rama duke zbardhur mënyrën se si do të mbyllet ky aksion.

Ankesa

Partia Socialiste do ti drejtohet Gjykatës Kushtetuese për ankimimin e paktit detar mes Shqipërisë dhe Greqisë. Pritet që gjatë ditës së nesërme drafti i nënshkruar nga gjashtë drejtuesit e partive politike, përfaqësues të të dy kampeve politike, të shkojë në Kushtetuese. Një nismë e tillë u ndërmor nga Partia Socialiste, e cila pas formulimit ligjor të draftit dhe nënshkrimit të tij nga drejtuesit politikë do ti kërkojë Gjykatës Kushtetuese që të ushtrojë të gjitha kompetencat e saj dhe të japë një konkluzion bazuar në një ekspertizë të imët, në mënyrë që kjo çështje të trajtohet me dinjitetin e duhur. Nisur nga ajo çfarë përmban pakti, PS-ja e gjykon atë si të padenjë për vendin tonë.

Bojkoti

Ndër nismat e saj selia rozë ka përfshirë në aksionin politik dhe bojkotin e zgjedhjeve të pjesshme të 15 nëntorit. Tashmë një vendim i tillë është krejtësisht i institucionalizuar, pasi dy ditë më parë mori miratimin e Asambleja Kombëtare të Partisë Socialiste. Por veç ratifikimit të një propozimi të tillë Asambleja gjatë mbledhjes së saj i ka hapur rrugë edhe reformimit të kësaj force jo vetëm në aspektin strukturor, por dhe në atë programor dhe statusor. Një proces i tillë pritet të marrë fund gjatë muajit prill, kur ky forum me propozim të Kryesisë së PS-së ka vendosur të thërrasë kongresin e kësaj force politike për të thënë fjalën e fundit mbi procesin.

Deklarata

Dade: Do të përshkallëzojmë protestat

“Sali Berisha, në vend që të flasë se ai na paska organizuar zgjedhje të shkëlqyera, duhet patjetër ta marrë seriozisht vendimin politik të opozitës për të mos marrë pjesë në parlament përderisa nuk bëhet transparenca e plotë e kutive të votimit dhe e materialeve zgjedhore. Manipulimi dhe deformimi i vullnetit të shumicës elektorale pa dyshim që bën përgjegjës Sali Berishën”, - ishte ky qëndrimi i ripërsëritur i Partisë Socialiste, ku përfaqësuesit e saj dhe gjatë ditës së djeshme nuk kanë kursyer kritikat për qeverinë “Berisha”. Sipas deputetes socialiste Arta Dade, Kryeministri Berisha vazhdon të ketë një shurdhëri absolute edhe ndaj sugjerimeve të Komisionit Europian për të rivendosur dialogun politik. “Partia Socialiste do të vazhdojë përshkallëzimin e protestave të saj dhe gjej rastin për të falënderuar gjithë ata mbështetës, simpatizantë dhe anëtarë të Partisë Socialiste që kanë marrë pjesë në tubimet tona, në mbrojtje të votës së lirë dhe në denoncimin e mashtrimit dhe abuzimit elektoral”, - vuri në dukje Dade gjatë deklaratës së saj për shtyp. Sipas saj, PS-ja e ka ndërmarrë këtë aksion politik e imponuar nga situata e krijuar për shkak të vjedhjes së votës.

Axhenda e Kuvendit

Punimet, Topalli do të mbledhë Konferencën e Kryetarëve

Kuvendi i Shqipërisë do të nisë punimet e kësaj jave me një program të ngjeshur punimesh. Komisionet kanë parashikuar të marrin në shqyrtim në mbledhjet e tyre më 20 tetor një listë të gjatë projektligjesh. Komisioni parlamentar i Ligjeve do të shqyrtojë tri akte normative, siç janë: “Për një ndryshim në ligjin nr. 9948, Për shqyrtimin e vlefshmërisë ligjore të krijimit të titujve të pronësisë mbi tokën bujqësore, i ndryshuar”; “Për një ndryshim në ligjin nr. 8669, Për regjistrimin e përgjithshëm të popullsisë dhe të banesave, i ndryshuar”; “Për një ndryshim në ligjin nr. 9880, Për nënshkrimin elektronik”. “Për profesionet e rregulluara në Republikën e Shqipërisë” është një projekt që do të diskutohet nga Komisioni për Punën, Çështjet Sociale dhe Shëndetësinë dhe ai për Edukimin dhe Mjetet e Informimit Publik. Ndërsa Komisioni për Ekonominë dhe Financat ka në rend të ditës projektligjin “Për disa ndryshime dhe shtesa në ligjin nr. 8537, datë 18.10.1999 “Për barrët siguruese”, i ndryshuar. Po ashtu këtë javë Kuvendi i Shqipërisë do të mbledhë Konferencën e Kryetarëve për të vendosur mbi axhendën e punimeve të tij për tri javët në vijim.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›