E Enjte, 5 Nëntor 2026

Manja: Çdo formë dhune mbi avokatët meriton ndëshkimin e drejtësisë

TIRANË, 29 maj/ATSH/ Ministri i Drejtësisë, Ulsi Manja tha sot se kushdo që ushtron dhunë ndaj avokatëve meriton ndëshkimin nga drejtësia.

Në një reagim në rrjetet sociale, lidhur me ngjarjen e ndodhur mëngjesin e së mërkurës në Tiranë, ku avokati Sokol Mëngjesi u dhunua nga tre persona, njëri prej të cilëve i identifikuar, ministri i Drejtësisë Ulsi Manja, theksoi se mbështet qëndrimin e Dhomës Kombëtare të Avokatisë.

“Çdo formë dhune mbi avokatët meriton ndëshkimin e drejtësisë”, nis reagimin e tij Ministri Manja.

“Mbështes fjalë për fjalë Dhomën Kombëtare të Avokatisë, për dhunën e ushtruar mbi avokatin dhe pedagogun, Sokol Mëngjesi”, u shpreh ministri Manja.

Më herët lidhur me ngjarjen reagoi dhe Ministri i Brendshëm Taulant Balla.  Ai bëri të ditur  se “Policia e Shtetit ka identifikuar njërin prej tre autorëve të sulmit ndaj avokatit Sokol Mëngjesi dhe po punon për identifikimin e dy të tjerëve”.

Policia e Tiranës njoftoi sot se, “rreth orës 08:50, në zonën e ish-Bllokut në Tiranë, persona ende të paidentifikuar kanë goditur shtetasin Sokol Mëngjesi, me profesion avokat. I dëmtuari është dërguar menjëherë në spital për dhënien e ndihmës mjekësore dhe ndodhet nën kujdesin e mjekëve. Drejtoria Vendore e Policisë Tiranë dhe strukturat e Policisë së Shtetit janë angazhuar për identifikimin dhe kapjen e autorëve”.

/a.f/

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›