HELSINKI – Finlanda: Kievi mund të sulmojë Rusinë me armët tona

HELSINKI, 29 maj /ATSH-ANSA/- Ukraina mund të sulmojë Rusinë me armët e ofruara nga Finlanda. Ukraina ka të drejtë të vetëmbrohet edhe në territorin e armikut, tha sot ministrja e Jashtme Elina Valtonen, sipas gazetës “Uusi Suomi”.
“Finlanda nuk ka vendosur ndonjë kufizim të veçantë për ndihmën e saj për Ukrainën, por supozon se pajisjet e saj do të përdoren në përputhje me ligjin ndërkombëtar”, tha Valtonen.
Rusia po zhvillon një luftë të paligjshme agresioni në Ukrainë dhe Ukraina ka të drejtën e vetëmbrojtjes sipas nenit 51 të Kartës së Kombeve të Bashkuara.
“Këtu përfshihen edhe sulmet kundër objektivave ushtarake në territorin e sulmuesit që janë të nevojshme për vetëmbrojtje”, theksoi Valtonen.//a.i/