E Hënë, 2 Nëntor 2026

Manja: Presim kontribut nga të gjithë aktorët e sistemit të drejtësisë për Kodin e ri Penal

TIRANË, 4 shtator /ATSH/ Ministri i Drejtësisë Ulsi Manja ftoi sot të gjithë aktorët e sistemit të drejtësisë që të japin kontribut në draftin e Kodit të ri Penal.

Gjatë një prononcimi për gazetarët, pas zhvillimit të tryezës së dytë për prezantimin teknik të draftit të Kodit të ri Penal, Manja u pyet në lidhje me kritikat e drejtuesit të Prokurorisë së Përgjithshme.

Manja tha se ftesa është e hapur për të gjithë për të kontribuar dhe shtoi se janë parashikuar disa tryeza me organet e sistemit të drejtësisë.

“Nuk kam koment, ftoj organet e drejtësisë, të japin kontributin e tyre në këtë proces të konsultimit publik për ta përmirësuar këtë draft. Nëse do të kemi ndryshime në Kodin e Procedurës penale ne e kemi bërë të qartë se drafti i ri penal sigurisht do të shoqërohet edhe me ndryshime në Kodin e procedurës penale sepse do të jetë proces reflektimi i atyre risive që sjellë në vetvete vetë ky kod.

“Në kodin e procedurës penale ne do të ndërhyjmë edhe për shkak të reflektimit të disa direktivave të BE-së që i kemi si përmbushje piketave të ndërmjetme enë procesin e negocimit. Ftesa ime është hapur jo vetëm për prokurorin e përgjithshëm,  por për të gjithë aktorët e sistemit të drejtësisë të bëhen procesi sepse në fund të fundit ata vërtetë janë zbatues të ligjit por kanë edhe një rol për të luajtur në procesin e ligjbërjes në këtë vend”, tha Manja.

Manja u shpreh se “kontributi i tyre si njerëz të praktikës është i mirëpritur dhe është thelbësor dhe është shumë i rëndësishëm”.

Prandaj shtoi ministri “ne kemi parashikuar disa tryeza me organet e sistemit të drejtësisë”.

/m.q//a.f/

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›