E Mërkurë, 4 Nëntor 2026

Manja të rinjve lezhjanë: Vota juaj në 11 maj e rëndësishme për fitoren e PS-së

TIRANË, 25 mars /ATSH/ Drejtuesi politik i Partisë Socialiste në qarkun e Lezhës, Ulsi Manja u bëri thirrje sot të rinjve në Lezhë të votojnë skuadrën e PS-së në këtë qark, në zgjedhjet e 11 majit.

Gjatë fjalës së tij në takimin me të rinjtë e Lezhës për prezantimin e skuadrës së re për Shqipërinë në BE 2030, ku është i pranishëm edhe kryeministri Edi Rama, Manja tha se “ju jeni brezi që po e kapni ëndrrën evropiane në kilometrat e fundit dhe vota juaj në 11 maj është shumë e rëndësishme për fitoren e PS-së dhe mandatin e katërt të Edi Ramës për t’u shkëputur njëherë e mirë nga e kaluara dhe për ta ulur Shqipërinë në vitin 2030 si anëtare e BE-së”.

“Rama ka meritën e padiskutueshme që në emër të PS-së në këto zgjedhje, në kontrast të thellë me kundërshtarët politikë, nëse do t’i quaja kundërshtarë polikë, ka përfshirë në listat e PS-së në Lezhë dhe gjithë Shqipërinë të rinj dhe të reja sigurisht e gërshetuar me përvojën më të mirë të akumuluar ndër vite për t’u afruar shqiptarëve një zgjidhje më të thjeshtë: në 11 maj votën për numrin 5, për Edi Ramën dhe Partinë Socialiste”, tha Manja.

Manja u shpreh se “skuadra e Lezhës në të tre bashkitë: Lezhë, Kurbin dhe Mirditë është tërësisht e re, me përjashtimin tim, që rikandidoj për PS, më është besuar të udhëheq këtë skuadër në qarkun e Lezhës drejt mandatit të katërt të PS-së në këtë qark”.

Skuadra jonë, vijoi Manja, ka një ndërthurje moshe profesionesh dhe përvoje, në këtë listë ka ekonomistë, juristë, informaticienë, psikologë, mësues, pedagogë gazetarie, por ka edhe kandidatë të suksesshëm në sektorin privat.

“Lista jonë është unike në vlera dhe përfaqësuese më së miri e të gjitha vlerave që ka kjo trevë”, tha Manja.

Lista e kandidatëve të PS-së për qarkun e Lezhës në 11 maj:

Qarku Lezhë
Lista e mbyllur
Ulsi Manja
Ermal Pacaj
Lista e Hapur
Admir Kadeli
Andon Gjoni
Klotilda Ndreca
Erion Markaj
Marjeta Neli
Aurora Reçi
Pranvera Skana

/k.s//r.e/

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›