E Diel, 1 Nëntor 2026

Manjani: Bamir Topi ka harruar Presidencën, po merret me partinë e re

17-10-2011 / Gazeta 55

Reagon LSI, Ylli Manjani    


Sekretari i Përgjithshëm i Lëvizjes Socialiste për Integrim, Ylli Manjani, tha dje se presidenti Topi ka humbur çdo funksion të institucionit që përfaqëson, ndërsa po merret me partinë e re. Manjani thotë se do ishte më mirë që Bamir Topi, “të dorëzonte Presidencën sa më parë që të jetë e mundur dhe t’i përkushtohej ambicieve personale politike”. Në një deklaratë të tij për mediat, Manjani theksoi se nuk ka asgjë të keqe që kreu i shtetit mendon për karrierën e ardhshme në politikë, por sipas tij, këtë ambicie nuk mund ta realizojë në postin e kreut të shtetit. Duke folur për deklaratën e bërë dy ditë më parë në Shkodër, Manjani shprehet se debati po hyn në një rrugë të rrezikshme që lidhet me unitetin e kombit. “Jemi mësuar me luftën PD-PS, por konfliktin gegë-toskë nuk e prisnim. Fatmirësisht nuk është konflikt, është çështje deklaratash, por është një çështje e rrezikshme”, tha ai. Duke folur për rolin e kreut të shtetit, Manjani shprehet se vendit i duhet një politikan që të jetë bashkues dhe të sjellë unitet për vendin. “Na duhet një President që është faktor bashkues, që është model uniteti për kombin, nuk kemi nevojë për një ekspert plehrash”- tha Manjani. Ai ka theksuar se Presidenca e Bamir Topit ka qenë një mandat i gabuar. Sipas Manjanit politika duhet të mësoj nga këto vite që Topi drejtoi këtë institucionit, për të mos zgjedhur më politikanë që janë të rinj dhe kanë ambicie për të ardhmen politike, duke ju kundërvënë dhe partive që i kanë zgjedhur. “Duhet të mendojmë dhe për anën personale. Topi është një politikan i ri dhe është shpejt të dalë në pension. Ai e humbi shansin për të qenë në PD, sepse ju kundërvu partisë së tij. Në përpjekje për të gjetur se çfarë duhet të bëjë, Topi harron Presidencën, harron Kushtetutën, harron interesat madhore të vendit. Ndaj them se është në kohë të bëjë një gjest moral”, tha Manjani. Ai ka theksuar se vendi ka nevojë për dialog dhe për një President që të jetë në krye të nismave për negociata dhe jo të jetë pjesë e një konflikti të madh. Ai ka komentuar dhe kthimin e ligjit të mbetjeve. Sipas Manjanit edhe në kohën e Nanos ka pasur presione nga grupe biznese. “Grupe të caktuara biznesi, i bënin presione ish-kryeministrit Nano në atë kohë për çështjen e mbetjeve. Presione, që sot më duhet ta pranojë, Nano i menaxhoi me një ekselencë. Nuk po them që ishin grupe mafioze, por biznesmenë që kërkon të drejtën e përpunimit të mbetjeve”, tha Manjani.

...

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›