Topi: Dum Babën, Dum Ramën
Presidenti përfundimisht ka hequr dorë nga angaria e ushtrimit të përkohshëm të detyrës së kryetarit të shtetit. I vendosur në krye të një klani që synon me çdo kusht pushtetin politik, ai po bën refren të jetës politike, refrenin “Dum Babën, Dum Ramën”. Mendësia e vjetër e haxhiqamilizmit ka krijuar simbiozë me karakterin hyzmeqar të shërbimit ndaj nomenklaturës komuniste, prandaj edhe pritshmëria është krijimi i një partie të re enveriste prej Bamir Topit, synimi i vetëm i së cilës është sjellja në pushtet e bijve të Bllokut
Presidenti në detyrë Bamir Topi, po mundohet të përshtasë çdo lëvizje të tij, në funksion të synimeve dhe ambicieve radikale të pinjollit të nomeklaturës, Edi Rama. Dy paralelet mbi të cilat po “ecën” kreu i shtetit, janë nxitja e klimës konfliktuale në vend, të cilën ditët e fundit e ka realizuar më së miri përmes kthimit të ligjit “Për Mbetjet” në Kuvend (i cili edhe solli përplasjet e ashpra mazhorancë-presidencë) si dhe diskriminimin krahinor për rajonin gegë (të cilët i fyeu publikisht se s’dinë të flasin dhe shkruajnë gjuhën letrare). Të dy këto segmente, bashkohen në një të vetëm atë të përçarjes banale dhe distancimit nga fryma demokratike dhe evropiane, për të cilën pa dyshim ka shprehur pëlqimin e tij, edhe lidershipi socialist Edi Rama. Si një haxhiqamilist ‘dinak’ dhe haxhillesh naiv, injorant dhe vulgar, i pari me pushkë në dorë brohoriste pro’ shtypjes së shqiptarëve nën perandorinë osmane, ndërsa i dyti me revole të brez lëshonte të njëjtën brohoritje, por këtë radhë në funksion të nomeklaturës komuniste të Enver Hoxhës, presidenti Topi u shndërrua në njeriun anti – institucion dhe anti – demokratik. Shpërfillja e tij ndaj institucioneve u pa nga të gjithë shqiptarët, të premten e zezë të 21 janarit, kur kreu i shtetit qëndronte në krye të celulës që tentoi të rrëzojë rendin demokratik. Larg sintezës së akuzave, presidenti s’ka dhënë qoftë edhe shpjegimin më të vogël rreth rolit të tij atë ditë, madje as nuk denjon të tregojë se ku ishte gjatë asaj pasdite të errët për vendin. Mungesa e përgjigjes dhe intrigat e muajve të fundit në raportet e tij me institucionet e tjera, bëjnë që Topi të etiketohet si haxhiqamilisti i kohëve moderne, pasi evoluimi është i qartë nga refreni dumBabën te dumRamën, e cila është edhe thirrja e Bamir Topit. Dhe i gjithë kursi i ndjekur nga Topi, është pikërisht për dogmën e re dumRamën. Dhe s’e ka keq, pasi dumRama s’është shumë ndryshe nga dumBaba i Haxhi Qamilit (pushtuesi). Njeriu që lakmon pushtetin përmes thyerjes së institucioneve, zjarr vënies nëpër rrugët e Shqipërisë si dhe nxirjen e imazhit të vendit në sytë e ndërkombëtarëve, është i gjithë fraksioni, që si post-bllok tenton të na nxjerrë jashtë shinave të integrimit Evropian dhe zhvillimit e modernizimit. Tendenca për të ri-ngritur bllokmenët në kaskierën e lartë institucionale, qeverisëse dhe vendimmarrëse, është e vetmja strehë e Bamir Topi, i cili pensionin e tij politik, tenton ta shmangë përmes shërbesave ndaj brezit të dytë të nomeklaturës komuniste. Dhe premtimi për ta, është ngritja e Edi Ramës në postin e Kryeministrit, por më parë Bamir Topi duhet të marrë premtimin e rikandidimit për postin e Presidentit. Pazare pushteti në kurriz të shqiptarëve. Ky është keqpërdorim i rregullave kushtetuese në funksion të interesave personale dhe politike. Synimi i tij është të neutralizojë mazhorancën aktuale, edhe pse e votuar me shumicë nga shqiptarët, dhe të krijojë terrenin e jetëgjatësisë politike në Presidencë, duke e fortifikuar këtë me partinë e re që ka në ngjizje e sipër. Por, “vlerësimin” e parë e ka marrë nga shqiptarët, madje në qytetin verior në Shkodër, të cilët e pritën si presidenti i republikës, por u largua si president i bulevardit. Sigurisht që presidenti Topi s’është si Haxhi Qamili, pasi ky i fundit thërriste dumBabën, ndërsa kreu i shtetit po lëshon refrenin post-modernist dumRamën...
L.Q
...