Vëzhgimi/Presidenti Topi, me një Shqipe si të Zonës së parë Operative
Hapni dhe shihni fjalime dhe intervista të Topit, aty do gjeni me shumicë fjalë të tilla, si: “vëndi”, “kuvëndi”, “brënda”, etj, që jo vetëm nuk i takojnë shqipes letrare, por nuk i përkasin as të folurës së vendlindjes së tij
Gjatë diktaturës komuniste administrata e lartë e shtetit, si dhe ajo e Partisë së Punës mbizotëroheshin nga kuadro të ardhura nga një zonë e caktuar e Shqipërisë. Do gabonim të thoshim nga jugu, pasi origjina e kuadrove ishte nga një zonë e caktuar e kësaj pjese të Shqipërisë. Mbizotërimi i kuadrove vinte nga ajo zonë që Dushan Mugosha dhe Miladin Popoviçi e kishin quajtur zona e parë operative e lokalizuar midis fshatrave të Gjirokastrës dhe Vlorës. Në radhë të parë, popullsia jokomuniste e jugut të vendit vuajti nga prodhimi i drejtuesve të dalë nga kjo fabrikë famëkeqe kuadrosh. Pasi eksperimentin vrastar të zonës së parë operative e provoi kjo pjesë e Shqipërisë, ajo rëndoi edhe mbi pjesën tjetër të vendit. Pas lufte zona e parë operative u bë mbizotëruesja e çdo gjëje në Shqipëri. Të gjithë kuadrot, në shumicë vinin nga andej. Atje kishin lindur oficerë pa fund, nënoficerë që nuk mbaronin kurrë, sekretarë partie gjithandej, nëpunës të rangjeve të ndryshëm, ambasadorë e lloj – lloj drejtuesish. Numri i kuadrove nga pjesa tjetër e vendit, nga jugu apo nga veriu ishte i vogël i krahasuar me këtë zonë. Sidomos nga veriu ishte më i vogël, pasi në regjimin e E. Hoxhës, akuza më e fortë e përdorur ishte se “veriu ishte lidhur me reaksionin”. Mirëpo u bë karakteristikë një gjest servil, deri edhe karagjoz i disa kuadrove me origjinë nga veriu, të cilët për të pasur sukses në politikë, flisnin thellësisht me dialektin e zonës së parë operative, bile edhe më shumë se vetë kuadrot që rridhnin nga ajo zonë. Kështu i ndodhi Ramiz Alisë, i cili po të mos ta njihje, nuk mund ta kuptoje se ishte nga Shkodra.
Ishte bërë e udhës që fjalë të tilla si “pllani” përdoreshin aq shpesh dhe aq keq, saqë populli i kishte përthithur si pjesë të humorit të tij. E megjithatë, një kuptim e kishin të gjitha, përdoreshin si formë servilizmi ndaj Enver Hoxhës.
Edhe vetë Nexhmije Hoxha, e njohur si me origjinë nga Dibra, kishte përshtatur e folur një gjuhë të tillë, që ishte më e mundshme të flitej në Kuç apo diku afër këtij fshati.
Kjo e folur nuk ishte brenda standardeve të gjuhës shqipe të miratuar në kongresin e vitit 1972, por brenda standardeve natyrore të zonës së parë operative.
Një model të tillë ka përqafuar politikani i ri i PS-së, Ditmir Bushati, të cilit si shkodran me gjuhën nga zona e parë operative, mund t’i gjesh edhe fjalë të tilla si “Dinamua”, “Natua”, etj. Është e çuditshme pasi zoti Bushati është rritur dhe burrëruar në një kohë tjetër, pavarësisht se origjina e së kaluarës bën gjithnjë të vetën.
Për të ardhur keq, ky krahasim vazhdon me presidentin e republikës z.Bamir Topi. Ndonëse njihet si “tirons”, z.Topi, me kohë e ka mësuar gjuhën operative të zonës së parë Vlorë – Gjirokastër. Sikur z.Topi të fliste gjuhën letrare, do ishte krejt normale për një individ apo edhe për një kryetar shteti pa u ndikuar nga dialektizmat e krahinarizmat. Por një studim gjithsesi jo i thellë dhe jo i plotë rreth fjalëve të artikuluara prej presidentit na tregon se kreu i shtetit flet me pasion dialektin e zonës së parë operative. Natyrisht nuk dihet prej sa vitesh e ushtron zoti Topi këtë dialektizëm servil. E ushtron prej vitit 1987, e ushtron vetëm në publik, etj, këto janë pyetje që duan një përgjigje nga zoti president. Në asnjë fjalim të presidentit nuk mund të mungojë fjala “vëndi”. E pra, as shqipja e 1972-n nuk e ka këtë fjalë dhe as dialekti tiranas nuk e njeh. Atëherë si ta marrim këtë fjalë. Si zakon i mbetur nga e kaluara, apo si nxjerrje zanoresh në përshtatje me frymën e nxjerrë? I drejtohet pastaj Kuvendit të Republikës së Shqipërisë. Merrni shihni mesazhet e folura (se të shkruarat janë të korrektuara). Do shihni se presidenti ynë thotë gjithnjë “Kuvëndi”.
Për të ardhur keq. Mund të bëhet një krahasim me qindra oficerë të ish Ministrisë së Punëve të Brendshme të ardhur sigurisht nga zona e parë, të cilët gjithmonë thoshin “Ministri e Punëve të Brëndëshme jemi na”. Ata të paktën si injorantë dhe dialektorë të përjetshëm e kishin të përligjur, po të tjerët çfarë kishin?
Në fund fare presidenti Topi flet një shqipe të mbushur me fjalë të huaja. Natyrisht vetëm dituri nuk tregon përdorimi i këtyre fjalëve. Këto janë pjesa që nuk dalin nga zona e parë operative, e megjithatë shërbejnë për ta bërë fjalorin e presidentit më të neveritshëm.
Vëreni vetëm disa fjalë, për të cilat po shkruajmë disa nga kuptimet: “Prevalon” (mbizotëron), “Definicion” (përcaktim), “Implementim” (zbatim), e duke vazhduar me fjalët e tjera si “Interlokutor” (bashkëbisedues), “Kompatibël” (i pajtueshëm), “Supervizues” (mbikëqyrës), “Predispozicion” (gatishmëri), “Interferuar” (ndërhyrë), “Konvertues” (shndërrues), , “Performancë” (ekzekutim, interpretim), “Preokupacion” (shqetësim), “Impas” (rrugë qorre), “Hendikap” (disavantazh), “Nominuar” (kandiduar), etj. Mund t’i gjeni këto fjalë në intervistën e presidentit dhënë një televizioni më 13 shkurt 2008. E zgjodhëm këtë datë, për të mos qenë të ndikuar nga ngjarjet e fundit.
Nëse vazhdojmë të mbajmë shënim fjalimet e presidentit, do na rriten fjalët e huaja me “evente” (ngjarje) të tjera, e kushedi sa shpikje që nuk i takojnë vetëm fjalorit zoologjik të dietologjisë apo parazitologjisë.
Njeriu që përdor fjalë të huaja, i ngjan asaj laraskës që për t’u dukur origjinale, mori nga kafshët e shpendët e tjera ato gjëra që natyra nuk ia kishte dhënë. Mori diku bishtin, diku pendët e diku gëzofin për t’u dukur e rrallë. U shëmtua aq shumë, sa askush nuk e njohu cila ishte.