E Shtunë, 31 Tetor 2026

Manjani: PS-ja kërkon të përsërisë zgjedhjet në Tiranë

Përsëritja e zgjedhjeve administrative në kryeqytet nis të artikulohet gjithnjë e më shumë. Dje ishte partia e dytë më e madhe në mazhorancë ajo që akuzoi socialistët se po kërkojnë të kryejnë një betejë për prishjen e procesit zgjedhor. Në vlerësimin e sekretarit për çështjet zgjedhore në Lëvizjen Socialiste për Integrim, Ylli Manjani, shpresa e socialistëve është që të imponohen para publikut, institucioneve dhe opinionit ndërkombëtar me tezën e përsëritjes së zgjedhjeve. “124 786 zgjedhës të Bashkisë Tiranë, kanë vendosur të nxjerrin në opozitë, për herë të parë, zotin Edi Rama. Ky fakt i njohur publik, bashkë me tërbimin personal të zotit Rama, ka nxitur edhe drejtuesit e tjerë të Partisë Socialiste në një betejë për prishjen e procesit zgjedhor”, theksoi Manjani. Duke marrë shkas nga finalja e Ligës së Kampioneve të shtunën, që u mbyll me fitoren e Barcelonës, zyrtari i LSI-së tha se është njësoj sikur Manchester United të kërkojë përsëritjen e ndeshjes finale vetëm sepse e humbi. Manjani insiston se nuk ka asnjë një lloj vaji dhe as uthulle që ta bëjë të gëlltitshme pozitën groteske të zotit Rama dhe të drejtuesve të lodhur të Partisë Socialiste. “Dje dëgjuam teorinë tjetër, sipas së cilës meqë numri i votave është më i madh se numri i votuesve, zgjedhjet janë të papranueshme dhe se për këtë fakt fajin e ka KQZ-ja. Ky formulim i bërë jashtë institucioneve të shtetit, është në fakt thikë që zoti Rama kërkon të ngulë me dëshpërim në shpinën e procesit zgjedhor. Të gjitha mandatet që gjatë këtyre 20 viteve kanë fituar, si Ruçi ashtu edhe Rama, kanë patur mospërputhje të numrit të zgjedhësve që kanë votuar me numrin e votave që gjetura në kuti. Në këto zgjedhje ky mos rakordim është qartësisht i reduktuar”, nënvizoi Manjani. Sipas tij, në rastin e Bashkisë Tiranë gjetja e fletëve të votimit në kutinë e gabuar e sqaron më së miri përrallën e mos rakordimit të shifrave, të cilën nuk e beson as vetë Rama. “Është e vërtetë që fletët e votimit të gjetura në kutinë e gabuar janë tepër për këtë të fundit, por është gjithashtu e vërtetë se po të njëjtat fletë janë mangut në kutinë e duhur. Por PS-së nuk i intereson kjo e fundit, sepse në fakt nuk i intereson vota e qytetarëve, por vetëm fitorja e kryetarit”, sqaroi Manjani. LSI-ja mendon se ka edhe një fakt tjetër që as Rama e as Ruçi nuk e përmendin qëllimisht. Zyrtari i LSI-së tha se përveç elementëve të sigurisë që parashikon Kodi Zgjedhor, këtë herë me kërkesën e Partisë Socialiste KQZ-ja i dha të drejtë kryetarit dhe nënkryetares të vendosin një shenjë të fshehtë në fletën e votimit. “Për asnjërën nga fletët e numëruara, nënkryetarja nuk kontestoi mungesën e shenjës që e di vetëm ajo. Prandaj dëshirojmë të ftojmë zotin Rama dhe të tjerët rreth tij, të qetësohen dhe të pranojnë rezultatin e zgjedhjeve në Tiranë dhe gjithë Shqipërinë. Të pranojnë faktin se kryetari i Partisë Socialiste doli në opozitë për herë të parë dhe t’i kthehen jetës institucionale në këtë vend. Qytetarët e Tiranës dhe të gjithë Shqipërisë nuk ia kanë për borxh as Ramës e askujt tjetër përbuzjen e vullnetit, që e shprehën qetësisht, paqësisht dhe demokratikisht më datën 8 Maj”, insistoi Manjani. Ky vullnet u lexua publikisht, vijoi ai, qartësisht dhe brenda një procesi të rregullt ligjor, të sigurt dhe me integritet.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›