KQZ vendos sot për kërkesat e PS dhe PD për Tiranën
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve do të zhvillojë sot hetimin administrativ të pretendimeve të ngritura nga socialistët dhe demokratët, lidhur me rezultatin e zgjedhjeve për Bashkinë e Tiranës. Institucioni më i lartë i administrimit të zgjedhjeve në vend do të marrë sot të bashkuara katër kërkesa ankimore të paraqitura nga tre subjekte zgjedhore dhe më konkretisht dy nga Partia Socialiste, një nga Partia Demokratike dhe një nga Partia Bashkimi Popullor i Pensionistëve Shqiptarë. Të tria këto forca godasin vendimin e KQZ-së, gjatë veprimtarisë së saj si KZAZ e madhe e Tiranës, për nxjerrjen e rezultatit për Bashkinë e kryeqytetit.
Kërkesat e PS-së
Gjatë relatimit të këtyre çështjeve ditën e shtunë, KQZ, për shkak se ato kishin si objekt kundërshtimin e vendimit për nxjerrjen e rezultatit të Tiranës, vendosi që t’i trajtojë në një seancë të përbashkët. Ndaj sot në orën 09:30 është programuar trajtimi i tyre. Kështu, KQZ do të shqyrtojë dy ankimimet e socialistëve që kërkojnë kundërshtimin e vendimit për miratimin e tabelës së rezultateve për njësinë numër 5 ose KZAZ-në 49, si dhe kundërshtimin e vendimit për miratimin e tabelës përmbledhëse të gjithë njësisë vendore, Bashkia Tiranë. Më konkretisht, përsa i përket vendimit 710, PS kërkon pavlefshmërinë e vendimeve të marra nga ky institucion, për ndryshimin e tabelave të rezultateve të QV-ve të ZAZ numër 49. Pas këtij veprimi, socialistët kërkojnë ndryshimin e vendimit numër 710 dhe nxjerrjen e një tabele të re përmbledhëse për këtë njësi, duke u bazuar në rezultatet e dala nga numërimi i votave nga GNV-të për çdo QV dhe transmetuar në bazën e të dhënave në KQZ. Ndërkohë që kërkesa e dytë kundërshton Vendimin Nr. 711, “Për nxjerrjen e rezultatit të votimit për kryetar për Zonën Zgjedhore Bashkia Tiran딒, me arsyetemin se “Vendimi Nr. 711, datë 23.05.2011 i KQZ-së është marrë në shkelje flagrante të ligjit dhe në tejkalim të kompetencave të KQZ-së. Sipas socialistëve kjo pasi neni 123 i Kodit Zgjedhor parashikon shprehimisht se KQZ, në përfundim të procesit të numërimit të votave nga KZAZ-të dhe pas hartimit të tabelave përmbledhëse prej tyre, nxjerr rezultatet e votimit për zonën zgjedhore duke plotësuar e miratuar tabelën përmbledhëse të rezultatit për këtë zonë zgjedhore brenda 48 orëve nga mbërritja e të gjitha tabelave përmbledhëse të KZAZ-ve. E vetmja ndërhyrje, sipas PS-së, që mund të bëjë KQZ është korrigjimi i ndonjë gabimi të mundshëm material në tabelën e hartuar nga KZAZ, e krahasuar kjo me atë të hartuar nga GNV për QV përkatëse”.
Kërkesa e PD-së
Po sot,në të njëjtën seancë,KQZ do të shqyrtojë dhe kërkesën e PD-së të paraqitur në të njëjtën ditë me ato të paraqitura nga socialistët. Megjithëse dhe demokratët godasin vendimin e nxjerrjes së rezultatit të Tiranës; ndryshe nga socialistët, kërkojnë që, përveç votave të gjetura në kutitë e gabuara, të rivlerësohen dhe 403 vota të kontestuara gjatë procesit të numërimit të votave për kryetar bashkie. Me argumentin se një gjë e tillë do të riste integritetin e procesit zgjedhor në Tiranë, PD-ja vlerëson se është e nevojshme që të shqyrtohen, rivlerësohen dhe rinumërohen, dhe për pasojë edhe të përfshihen në rezultatin e përgjithshëm të Tiranës të gjitha votat e kontestuara në procesin e numërimit dhe vlerësimit fillestar të votave të hedhura për kandidat për kryetar të Bashkisë Tiranë, dhe që si rregull janë në zarfin e fletëve të votimit të konstuara. Ndërkohë që pjesë e këtij shqyrtimi do të jetë dhe një kërkesë e Partisë Bashkimi Popullor i Pensionistëve Shqiptarë për Pavlefshmërinë e zgjedhjeve në KZAZ.49, Qarku Tiranë. Por ndërsa fati i kërkesave të socialistëve është i paravendosur për shkak se ata kërkojnë pavlefshmërinë e vendimeve të kryera më parë nga KQZ gjatë fazës që vepronte si KZAZ, nuk dihet nëse do të merret parasysh kërkesa e demokratëve, pasi kemi të bëjmë me një shqetësim që ngrihet për herë të parë. Ndërkohë që kërkesa tjetër për pavlefshmëri të zgjedhjeve në KZAZ 49, ashtu si edhe kërkesat e socialistëve, ka shumë pak gjasa të pranohet, pasi një gjë e tillë do të çonte gjithë Tiranën në ripërsëritje zgjedhjesh.