E Diel, 1 Nëntor 2026

Manjani: Paketë me katër shtylla për mbështetjen e deri në 16 mijë të rinjve

TIRANË, 22 tetor /ATSH/ Zëvendësministrja e Ekonomisë dhe Inovacionit, Olta Manjani tha sot se Qeveria po përgatit një paketë masash për mbështetjen e të rinjve.

Në një intervistë televizive, Manjani tha se kjo paketë bazohet në katër shtylla, punësimin, strehimin, vlerësimin e nivelit arsimor dhe krijimin e një sistemi më transparent për ta.

Sipas Manjanit, paketa synon fillimisht të mbështesë 10 mijë të rinj, ndërsa në skenarin optimal përfituesit mund të arrijnë në 16 mijë.

“Një nga drejtimet kryesore është nxitja e punësimit para dhe gjatë studimeve, përmes zgjerimit të programit të nxitjes së punësimit me 5 mijë të rinj”, tha ajo.

Një tjetër shtyllë lidhet me pavarësimin ekonomik dhe strehimin. Manjani bëri të ditur se parashikohet ofrimi i kredive me interes zero për profesionistët e rinj dhe me interes 3% për familjet e reja, me qëllim lehtësimin e blerjes së një banese.

Pjesë e paketës do të jetë edhe vlerësimi i arsimit dhe krijimi i mundësive të barabarta, përmes përcaktimit të pagave minimale referuese sipas nivelit arsimor të të rinjve. Ndërkohë, shtylla e katërt synon krijimin e një sistemi më transparent dhe përmirësimin e kuadrit ligjor për punësimin e tyre.

Manjani u ndal edhe te protestat e të rinjve, duke theksuar rëndësinë e dialogut dhe të përfaqësimit të tyre në diskutimet për të ardhmen.

“Një nga parimet më të rëndësishme është që jo domosdoshmërisht duhet të mendojmë njësoj për të bashkëjetuar. Pranojmë të kemi mendime ndryshe. Shoqëria ka nevojë për më shumë dialog”, u shpreh ajo.

Sipas Manjanit, të rinjtë që protestojnë kanë të drejtën të shprehin qëndrimet e tyre, por edhe të kenë përfaqësi për dialog, me synimin për të krijuar hapësira reale komunikimi.

Për zbatimin e paketës parashikohet një financim shtesë prej 26-27 milionë eurosh në vit.

/e.i/a.f/r.e/

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›