Manjani: Propozimi i Nishanit për shkrirje të inspektoriatit të MD-së jo i sinqertë
Juristi Ylli Manjani është shprehur kundër propozimit të presidentit Nishani për shkrirjen e inspektoriatit të Ministrisë së Drejtësisë.
Ndërsa e ka cilësuar si të pasinqertë propozimin e kreut të shtetit. Manjani ka theksuar se roli i ministrit të drejtësisë është i domosdoshëm.
Nishani kur ishte ministër nuk e shkriu inspektoriatin e Ministrisë së Drejtësisë. Në sistemin aktual, roli i Ministrit të Drejtësisë është i domosdoshëm. Ligjërisht, Ministri i Drejtësisë është i vetmi autoritet që propozon masa disiplinore për gjyqtarët tha ai.
Gjithashtu juristi Manjani u shpreh se në situatën ku ndodhet sistemi gjyqësor,reforma e inspektimit është çështje dytësore.
Duhen bërë reforma në Gjykatën e Lartë. Duhet të ketë vetëm një inspektoriat dhe duhet të jetë kompetencë e Gjykatës së Lartë shtoi ai.
Një ditë më parë, presidenti Nishani propozoi në mbledhjen e Këshillit të Lartë të Drejtësisë për shkrirjen e Drejtorisë së Përgjithshme e Çështjeve të Drejtësisë e cila merret me inspektimin e gjyqtarëve në favor të ministrisë së Drejtësisë.
Për shmangie të mbivendosjes së kompetencave të kontrolleve ka ardhur koha që Inspektoriati i Ministrisë është strukturë që duhet shkrirë, një masë e tillë do të respektonte edhe më tepër parimin e pavarësisë së gjyqësorit nga ekzekutivit u shpreh dje Nishani.