Manuali i KQZ: Tre dokumente dhe rregulla të tjera për 8 Majin
Në zgjedhjet vendore të 8 Majit, ashtu si dhe në zgjedhjet e shkuara parlamentare, votuesit mund të paraqiten para Komisioneve të Qendrave të Votimit me tre mjete identifikimi: kartën elektronike, pasaportën biometrike dhe pasaportën e vjetër, të vlefshme për jashtë shtetit. Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka miratuar dje manualin e trajnimit të komisionerëve të qendrave të votimit, ku ka detajuar veprimet që duhet të ndjekin komisionet e nivelit të tretë, që nga momenti i marrjes në dorëzim të dokumentacionit dhe materialit zgjedhor, hapjes së procesit të votimit, e deri te dorëzimi i kutive me fletët dhe materialet zgjedhore në KZAZ dhe VNV. Në këtë manual janë trajtuar në mënyrë të kuptueshme të gjitha veprimet që ndjek KQV-ja, mbështetur në Kodin Zgjedhor dhe udhëzimet e KQZ-së. Manuali shoqërohet edhe me Fletoren e punës së KQV-së, në të cilën do të vendosen modelet e vendimeve të KZAZ-së dhe dokumentacioni i punës së saj, si dhe me një kod sjelljeje të komisionerëve. Përsa i përket mjeteve të identifikimit, në këtë material është saktësuar se një votues mund të paraqitet në KQV me kartë identiteti si dhe me pasaportë të vlefshme për jashtë shtetit, pra duke mos bërë dallimin mes pasaportave biometrike dhe atyre të mëparshme. Ndërkohë, gjatë diskutimit të manualit në KQZ, përfaqësuesit socialistë kanë ngritur një sërë shqetësimesh, duke propozuar disa ndryshime në të. Socialistët, për shmangur praktikat e votimit familjar, kanë kërkuar që firma në listën e zgjedhësve të shoqërohet edhe me shkrimin me dorë të emrit dhe mbiemrit të tyre. Kjo, sipas përfaqësuesve të majtë, do të evitonte çdo mundësi që një person i vetëm të hidhte firma për zgjedhës me radhë, siç u evidentua në zgjedhjet e fundit në disa qendra. Një propozim i tillë nuk është miratuar, pavarësisht se kryetari i KQZ-së ka bashkuar votat me dy anëtarët e majtë Dëshira Subashi dhe Artan Laze. KQZ-së i është dashur që të gjejë një zgjidhje të mesme edhe përsa i përket skemës së kompozimit të Qendrës së Votimit, pra vendndodhja e komisionit, e vëzhguesve, kutive të votimit, dhomave të fshehta të votimit etj. Lidhur me këtë, administrata kishte paraqitur dy skema: njëra e propozuar nga ekspertët e Këshillit të Europës dhe që parashikonte që vëzhguesit të qëndronin përbri komisionit dhe diagonalisht dhomës së fshehtë dhe një skemë e paraqitur nga vetë KQZ-ja, ku vëzhguesit qëndrojnë përballë komisionit. Socialistët kanë mbështetur variantin e Këshillit të Europës, ndërsa demokratët variantin e KQZ-së. Në pamundësi për të gjetur gjuhën e përbashkët, KQZ ka vendosur që t’i përfshijë në manual të dyja skemat, duke ia lënë në dorë vetë KQV-ve që të zgjedhin. Ndërkohë që në këtë skenë përfshihet për herë të parë dhe një anëtarë i KQV-së, i cili nuk do të lejojë votimin familjar.