Maqedoni, Ambasadori Riker në fund të muajit përfundon mandatin

Ambasadori amerikan në Shkup, Filip Riker i jep fund mandatit të tij të diplomatit të parë amerikan në Maqedoni në fund të muajit.
Riker do të emërohet në një detyrë të lartë në administratën amerikane, duke u caktuar si zëvendës-ndihmës sekretar amerikan për Evropë dhe Evroazi.
“Më gëzon fakti që edhe me pozicionin e ri në SHBA sërish do të jem i pranishëm në këtë rajon, mes tjerash në Maqedoni. Kjo nënkupton se do të kem mundësi dhe më tej të ju vizitoj dhe gjithmonë do të ndjejë se kam miq këtu”, deklaroi Riker në një takim lamtumire të organizuar nga Kolegji Amerikan në Shkup.
Ndërkohë detyrën e ambasadorit amerikan në Maqedoni e merr diplomati Pol Volers. Ai në vitin 2006 ka qenë zëvendës-ambasador amerikan në Shkup, ndërsa disa muaj ka qenë ushtrues detyre i ambasadorit, pas largimit të ambasadores Xhilijan Milovanovic. Në periudhën e tij ishte nënshkruar marrëveshja me ish-ministrin e Transportit dhe Lidhjeve, Xhemali Mehazi që ambasada amerikane të blejë tokën në Kala për ndërtimin e ambasadës së re amerikane.
Voler vjen në Maqedoni nga detyra e sekretarit ekzekutiv të Departamentit të Shtetit Amerikan. Ai është emëruar në këtë detyrë me iniciativë direkte nga Hillary Klinton.