E Shtunë, 31 Tetor 2026

Pesë shtete pritet ta njohin Kosovën

Rreth pesë shtete pritet ta njohin pavarësinë e Kosovës këtë vit. Ky paralajmërim është bërë nga zëvendëskryeministri i Kosovës, Behgjet Pacolli i cili ka theksuar se njohjet do të ndodhin gjatë sezonit të verës duke dhënë edhe detaje për shtetet të cilat shumë shpejt do ta njohin pavarësinë e Kosovës.
Në mbledhjen e Qeverisë, Pacolli ka raportuar gjatë për udhëtimet e fundit në Afrikë ndërsa ka shtuar se gjatë takimit me Presidentin e Guinea Conakry më 22 maj, është siguruar se në seancën e radhës që mbahet këtë të enjte, do të trajtohet tema e njohjes së Kosovës dhe kjo sipas tij do të japë rezultate.
“Kam takuar Presidentin e Beninit dhe ky vend është në kontakt me ne. Ne i kemi dërguar Beninit një draft të letrës që kishim dashur që ata ta nënshkruajnë dhe ta njohin Kosovën. Togoja po ashtu është një vend, i cili sigurisht do ta njohë Kosovën, edhe pse kjo duhet të kalojë në Parlamentin e tyre”, u ka thënë Pacolli kolegëve të tij në Qeverinë e Kosovës.
Gjatë raportimit për turneun e tij lobues në Afrikë, Pacolli ka përmendur të gjitha vendet e vizituar dhe premtimet që ai ka marrë atje. “Më datën 19 maj, kam filluar një mision lobues, ku së pari kam udhëtuar për në Vjenë, ku kam takuar Abdulla Sharief, përfaqësues i Sudanit në Kombet e Bashkuara", ka theksuar Pacolli. Mbrëmë Andorra ka qenë shteti i 76 që ka njohur pavarësinë e Kosovës.
 

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›