E Diel, 1 Nëntor 2026

Maqedoni, Gruevski mund të vendosë për zgjedhje të parakohshme

Analistët politikë e kanë vlerësuar si të paparashikueshëm kryeministrin Nikolla Gruevski rreth vendimeve tashmë të njohura të tij gjithnjë si të papritura. Një vlerësim i tillë vjen edhe lidhur me mundësinë për të organizuar zgjedhje të parakohshme parlamentare, në rast se nuk arrihet që të përcaktohet data e fillimit të negociatave me BE-në në Samitin e radhës në Bruksel në fillim të muajit dhjetor. Vendimi pritet të meret që në fund të dhjetorit, dhe kjo nuk përjashtohet që të ndodhë. Analisti Ibrahim Mehmeti ka theksuar se është vështirë të prognozohet se Gruevski do të marrë një vendim për shpërndarjen e Parlamentit dhe organizimin e zgjedhjeve të parakohshme në fillim të vitit të ardhshëm. Ndryshe nga ai, publicisti dhe analisti Avni Halimi në një deklaratë për agjencinë e lajmeve INA vlerëson se Gruevski si shpëtim të tij më në fund do të shohë organizimin e zgjedhjeve të parakohshme. "Sipas të gjitha gjasave i vetmi shpëtim i Nikolla Gruevskit dhe e vetmja mënyrë e ruajtjes së përqindjes së popullaritetit të tij, do të jetë procesi i zgjedhjeve të parakohshme. Gruevski e ka fare të qartë se me ndrrimin e emrit do të përfshihet në taborrin e tradhëtarve kombëtarë maqedonas- shtoi analisti, e për t'iu shmangur kësaj etikete, ai do të tentojë që patriotëve të tij, tu dëshmojë edhe njëherë përmes zgjedhjeve se, parë në të dyja aspektet edhe si tradhtar apo si patriot, ai e ka përkrahjen e popullit maqedonas", ka theksuar publicisti Halimi. Paparashikueshmëria e Gruevskit po ndiqet nga qarqet politike dhe bashkësia ndërkombëtare. Një pjesë e opozitës po ristrukturohet dhe është e gatshme për zgjedhje të parakohshme, në rast se ato do të mbahen në fillim të vitit të ardhshëm.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›