DASH, 800 mijë viktima trafikohen çdo vit
Departamenti amerikan i Shtetit vlerëson se rreth 800 mijë viktima trafikohen çdo vit përmes kufijve ndërkombëtarë. Shtetet Bashkuara janë shpesh destinacioni për shumë prej këtyre viktimave, ku ata mbahen në kushte që veprimtarët e të drejtave të njeriut i konsiderojnë si skllavëri të kohëve moderne. Disa nga këto veprimtarë morën pjesë në konferencën dy-ditore të Marrëveshjeve të të Drejtave të Njeriut në Dejton, Ohajo, për të ndihmuar në rritjen e ndërgjegjësimit për problemet me të cilat përballen viktimat. Siç bën të ditur Zëri i Amërikës, konferenca u zhvillua këtë javë ndërkohë që organet e rendit janë angazhuar në një operacion mbarë kombëtar kundër trafikut të qenieve njerëzore. Sharla Musabih i ka parë Emiratet e Dubait të transformohen nga një qytet i vogël, në një nga qytetet më të mëdha dhe me zhvillimin më të shpejtë në Lindjen e Mesme. Një rritje e Dubait, e ka bërë atë destinacion për ca njerëz të varfër që kërkojnë punë. Sipas Musabih, qyteti ka tërhequr edhe kriminelë që kërkojnë viktima në botën e errët të trafikimit të qenieve njerëzore. Por sipas saj, këto punë të mrekullueshme shpesh përfundojnë në punë të detyruar dhe prostitucion. Musabih ndau disa nga eksperiencat e saj me organet e rendit dhe agjencitë sociale të mbledhura në Universitetin e Dejtonit në Ohajo për Marrëveshjet e Trafikimit Njerëzor. Drejtori i Programit të Universitetit për të Drejtat e Njeriut, Mark Ensalako thotë se një prej synimeve të konferencës është zbardhja e këtij problemi në rritje në Shtetet e Bashkuara. Polaris Project, apo Projekti Polaris, është një nga organizatat më të mëdha kundër trafikut njerëzor në Shtetet e Bashkuara. Ai vlerëson se rreth 17 mijë e 500 shtetas të huaj trafikohen në Shtetet e Bashkuara çdo vit. Ata thonë gjithashtu se rreth 244 mijë të rinj të tjerë janë në rrezik për t'u shfrytëzuar gjithashtu. Për ta luftuar këtë problem në rritje, Ensalako thotë se nga fundi i tetorit, Byroja Federale e Hetimeve apo FBI-ja, filloi një operacion mbarë-kombëtar kundër trafikimit të qenieve njerëzore, ku u arrestuan dhjetëra trafikantë dhe u liruan më shumë se 50 femra që detyroheshin të punonin si prostituta. Shumë prej tyre ishin fëmijë në Ohajo, më e vogla ndër to ishte 10 vjeç.