E Diel, 1 Nëntor 2026

Maqedoni, Gruevski refuzon kërkesën e opozitës për zgjedhje të parakohshme

14-01-2013 / Gazeta 55

Partia e kryeministrit maqedonas Nikolla Gruevski, VMRO-DPMNE nuk ka pranuar kërkesat e partisë opozitare LSDM për mbajtjen e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare së bashku me ato lokale në muajin mars. Partia në pushtet ka ftuar opozitën që të kthehen në Kuvend dhe përmes dialogut në Parlamentin e Maqedonisë së bashku të gjejnë zgjidhje për situatën politike në vend. VMRO- DPMNE ka dal me vlerësim se në muajin mars nuk duhet të ketë zgjedhje të parakohshme parlamentare, sepse në Maqedoni brenda 6 viteve tri herë janë mbajtur zgjedhje parlamentare, të cilat janë vlerësuar të lira dhe demokratike. Qëndrimin partiak e ka konfirmuar edhe kryetari i VMRO-DPMNE-së, njëherit kryeministër, Nikolla Gruevski.
“VMRO-DPMNE angazhohet për mbajtjen e zgjedhjeve të rregullta lokale. Ato janë obligim i yni ligjor, diçka që presin qytetarët dhe ne do të jemi plotësisht të përkushtuar, si në të kaluarën poashtu edhe në të ardhmen të kemi zgjedhje korrekte, demokratike dhe të lira, në të cilat qytetarët do të mund ta shprehin vullnetin e tyre të lirë dhe do të përcaktohen për kryetarët e komunave të cilëve u besojnë më së tepërmi”, u shpreh Gruevski.
Pas këtij vendimi të partisë më të madhe në pushtet, Maqedonia është futur në situatë edhe më të ndërlikuar politike, pasi LSDM si parti më e madhe opozitare edhe njëherë ka përsëritur qëndrimin se nuk do të marrë pjesë në zgjedhjet lokale nëse nuk realizohen bashkë me zgjedhje të parakohshme parlamentare. Kjo parti poashtu ka paralajmëruar se do të vazhdojë me protesta për të shprehur revoltën ndaj pushtetit. Për tejkalimin e kësaj situate të krijuar, po përpiqen të ndihmojnë edhe përfaqësuesit diplomatik në Maqedoni. Ambasadori shqiptar Arben Cejku në cilësinë e doajenit të trupit diplomatik në Shkup, dhe ambasadori amerikan Paul Uohlers kanë dalë me apel që të gjitha sfidat të tejkalohen në mënyrë institucionale.
“Ne mendojmë se Kuvendi është vendi ku duhet të diskutohet çështjet. Nuk mendojmë se bojkoti nga cilado parti është i dobishëm. Këtë e themi vite me radhë kur ka pasur bojkote nga parti tjera, se nuk është e dobishme një taktikë e tillë. Partitë duhet të punojnë për të gjetur zgjidhje për të tejkaluar këtë situate. Në Kuvend duhet të ketë mundësi, kushte dhe transparencë të njëjtë për partitë për të diskutuar lirshëm çështjet e hapura”, tha ambasadori Uohlers.
“Ky vit nisi me vizitën e Ambasadorit Nimitz në Shkup e Athinë dhe ne urojmë gjetjen e një zgjidhjeje të pranueshme për të dyja vendet fqinje me qëllim që Maqedonia sa më parë të fillojë negociatat me BE dhe të bëhet anëtare në NATO, sepse kjo është në interes të vendit tuaj dhe të perspektivës euro-atlantike të rajonit të Ballkanit Perëndimor. Përveç kësaj, unë shpresoj se ju do të vazhdoni më tej me reformat e brendshme që lidhen me forcimin e institucioneve demokratike dhe zhvillimin e ekonomisë, me forcimin e marrëdhënieve ndër-etnike, zbatimin e Marrëveshjes Kornizë të Ohrit “, tha Cejku.
Ndryshe zgjedhjet lokale në Maqedoni janë shpallur më 24 mars. Nëse opozita mbetet në qëndrimin për bojkot të zgjedhjeve, kjo do të ishte hera e dytë e bojkotimit të procesit zgjedhor nga opozita, pas bojkotit të vitit 1994 kur zgjedhjet parlamentare u bojkotuan nga VMRO-DPMNE, e cila në atë kohë ishte parti më e madhe opozitare.

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›