Tahiri: Do kërkojmë sqarime për dialogun

Kryesuesja e delegacionit të Kosovës në dialogun me Serbinë, Edita Tahiri thotë se pala kosovare do të kërkojë sqarime nga Baronesha Catherine Ashton lidhur me atë se çfarë përfiton vendi nga dialogu me Beogradin. Dy palët pritet të takohen më 25 dhe 26 mars në Bruksel për të diskutuar për telekomunikacionin dhe energjinë elektrike. Opozita thotë se pala kosovare nuk ka vija të kuqe në këtë dialog. Delegacionet e Prishtinës dhe Beogradit kanë nisur dialogun në fillim të këtij muaji, duke diskutuar për çështjet praktike si regjistri civil, dokumentet kadastrale, CEFTA- dhe vula doganore. Por, pas dy ditësh të dialogut të ndërmjetësuar nga zyrtari i lartë i BE-së, Robert Cooper, nuk është arritur ndonjë marrëveshje. Megjithatë, Cooper nuk i ka ndalur përpjekjet duke u kthyer në Prishtinë dhe Beograd menjëherë pas përfundimit të raundit të parë. Tashmë është bërë e ditur se çdo dy javë palët në Bruksel do të diskutojnë nga tre tema dy të propozuara nga palët dhe një nga Bashkimi Europian. Kryesuesja e delegacionit të Kosovës në këto bisedime, Edita Tahiri ka përsëritur edhe një herë se në secilin takim do të flitet për tema praktike. Ajo theksoi se asnjë nga temat që shtrohet njëherë për diskutim, nuk trajtohet më në takimet e mëpasshme. Partitë opozitare dhe një pjesë e shoqërisë civile i kanë kundërshtuar bisedimet me Serbinë. Gjithësesi, dialogu mbështetet nga shtetet që kanë njohur pavarësinë e Kosovës me arsyetimin se Kosova do të përfitojë nga ky dialog. Çështja se çfarë do të përfitojë Kosova nga dialogu me Serbinë pritet të jetë edhe objekt diskutimesh me përfaqësuesen e Lartë të BE-së Catherine Ashton, e cila do të takojë autoritetet kosovare në fund të muajit në Prishtinë. Pala kosovare tashmë ka bërë të ditur qëndrimin e saj se do të diskutojë vetëm çështjet praktike e jo ato që mund të prekin edhe statusin.