Maqedoni, Rama takohet me kreun e PDSH-së, Menduh Thaçin

Kryetari i Partisë Socialiste në vizitën e tij në Maqedoni sot ka takuar kryetarin e Partisë Demokratike Shqiptare, Menduh Thaçin. Pas takimit Rama e Thaçi kanë folur për mediat lidhur me takimin dypalësh të zhvilluar. Kryetari i PS-së, Edi Rama, u shpreh se në takimin me Kreun e PDSH kanë biseduar për situatën politike, qoftë në Shqipëri, qoftë në Maqedoni.
Rama tha se eksperienca opozitare është e ngjashme në të dy vendet: “Shkëmbyem mendime mbi eksperiencën opozitare e cila është e ngjashme në të dy vendet.” Në këtë kuadër ashtu lideri i opozitës nënvizoi:“Është domosdoshmëri rritja e hapësirës demokratike”. Edi
Rama ka falenderuar edhe publikisht Menduh Thaçin për mikpritjen duke nënvizuar, edhe në takimin me të, domosdoshmërinë e intensifikimit të komunikimit të opozitës shqiptare me partitë politike të rajonit tonë: “Jemi të bindur për nevojën e rritjes së komunikimit me të gjithë faktorin politik në rajon dhe rritjes së pranisë së opozitës shqiptare në trojet ku jetojnë shqiptarët”. Nga ana e tij, kryetari i PDSH-së, Menduh Thaçi , u shpreh :
“Është nder të takoj liderin e opozitës shqiptare Edi Rama. Biseduam për çështje të politikës së brendshme, për integrimin e Maqedonisë në NATO dhe BE. Dy partitë tona janë nga më të vjetrat në Shqipëri dhe Maqedoni”, u shpreh Thaçi , duke nënvizuar se këto kontakte janë të natyrshme. Gjithashtu, Menduh Thaçi tha se për të ishte nder të takonte liderin e opozitës dhe të merrte prej tij librin “Kurban”, të cilin ai garantoi se do ta lexonte. “Kënaqësi që marr nga vetë Edi Rama librin “Kurban”. Garantoj se do ta lexoj librin pasi nuk jam prej atyre që nuk i lexojnë librat,” është shprehur kreu i PDSH-së.
Edi Rama ndodhet nën një vizitë dyditore në Maqedoni për promovimin e librit të tij “Kurban”.