E Diel, 1 Nëntor 2026

Rama Thaçi : Nevojë për rritjen e pranisë së opozitës shqiptare në trojet ku jetojnë shqiptarët

Takimi mes Thaçi dhe Ramës

Edi Ram, kryetar i Partisë Socialiste është pritur në një takim nga lideri i opozitës shqiptare në Maqedoni Menduh Thaçi. Pas takimit me kreun e Partisë Demokratike Shqiptare, Rama foli për mediat lidhur me atë që ishte diskutuar gjatë këtij takimi.

Shkëmbyem mendime mbi eksperiencën opozitare e cila është e ngjashme në të dy vendet. Është domosdoshmëri rritja e hapësirës demokratike, tha Rama. Kreu i PS-së ka folur edhe mbi rëndësinë e rritjes së pranisë së opozitës shqiptaren ë trojet ku jetojnë shqiptarët.

Kreu i PDSH, duel vlerësuar këtë takim tha se ai ishte mes dy kryetarëve të dy partive më të vjetra në Shqipëri dhe Maqedoni. Biseduam për çështje të politikës së brendshme, për integrimin e Maqedonisë në NATO dhe BE. Dy partitë tona janë nga më të vjetrat në Shqipëri dhe Maqedoni, u shpreh Thaçi duke nënvizuar se këto kontakte janë të natyrshme, u shpreh Thaçi.

Dy liderët kanë shkëmbyer me njëri-tjetrin librat e tyre. Thaçi nga ana e tij garantoi se do ta lexonte librin pasi u shpreh se nuk jam prej atyre që nuk i lexojnë librat.

*   *    *

Edi Rama ka promovuar sot në Shkup librin e tij Kurban.  Gjatë bashkëbisedimit me shqiptarët e Maqedonisë, Rama ka theksuar nevojën e komunikimit intensiv të opozitës me faktorin shqiptar në të gjithë viset e rajonit ku jetojnë shqiptarë.

Ka ardhur momenti që opozita në Shqipëri të jetë më aktive në politikën rajonale dhe në komunikimin me shqiptarët që jetojnë jashtë kufijve të Shqipërisë zyrtare. Për shkak se është e nevojshme që Shqipëria ta intensifikojë praninë dhe rolin e vet në komunikim me shqiptarët dhe qeveria nuk e bën dot plotësisht këtë detyrë edhe sikur të ishte një qeveri e mirë, pa mbështetjen edhe të të tjerëve e jo më kur qeveria pastaj nuk është edhe aq e mirë, tha Rama.

Në kuadër të vizitës në Maqedoni,  Rama ka zhvilluar sot një takim me liderin e BDI-së, Ali Ahmeti.

Duke e përgëzuar Ahmetin për menaxhimin e suksesshëm të zhvillimeve poltike në vend, Rama theksoi se ai mbetet pika e referimit e Tiranës për shqiptarët në Maqedoni.

Kreu i BDI-së, Ahmeti, e ka përgëzuar Ramën për marrëveshjen e arritur me pozitën për reformën zgjedhore, duke theksuar që ky dialog konstruktiv duhet tu shërbejë si shembull të gjithëve.

Duke u ndalur në çështjen e kontestit të emrit, Ahmeti përshëndeti vendimin e Gjykatës Ndërkombëtare të Hagës, por theksoi që në këtë proces nuk ka të humbur e as të fituar, pasi kjo duhet të shërbejë si shtytje për zgjidhjen e menjëhershme të çështjes së emrit.

Shqiptarët në Maqedoni kanë qëndrim unik për çështjen e emrit dhe do të mbështesin çdo kompromis me Greqinë si bëjnë thirje për zgjidhje sa më të shpejtë të kontestit me Greqinë në mënyrë që të anëtarësohemi në NATO dhe të fillojmë negociatat për anëtarësim në NATO, tha Ahmeti.

Ndërsa një ditë më parë, në promovimin e librit të tij në Shkup, Rama foli për arrestimin e 4 të rinjve shqiptarë në Tetovë, ditën e 28 Nëntorit.

Duke e quajtur të patolerueshëm këtë akt, Rama është shprehur: Kush mund të ndalojë, kë, në botën e lirë të vizatojë një hartë që ta quajë republika ime. Ç’lidhje ka kjo?! Si mundet në shekullin e 21 në mes të Europës të arrestohen djem të rinj pse vizatojnë një hartë dhe e quajnë Shqipëria Etnike. Si ka mundësi?! Çdo njeri ka të drejtë të vizatojë një hartë dhe ta quajë çfarë të dojë. Dikush mund të vizatojë edhe hartën e botës dhe të thotë bota është e imja. E çfarë?! Do ta marrin e do ta çojnë në Hagë, për krime kundër gjithë botës. Çfarë janë këta barbarë primitiv. Kjo është e patolerueshme”.

Arrestimi i katër të rinjve shqiptarë në Ditën e Flamurit në Tetovë erdhi gjatë vendosjes së dekorimeve të festës. Katër të rinjtë kishin vizatuar një hartë të Shqipërisë etnike.

* * *

Rama do të takohet sot edhe me kreun e PDSH-së, Menduh Thaçi.

Në qendër të takimit do të jenë zhvillimet politike në Maqedoni dhe Shqipëri, çështjet që prekin shqiptarët, bashkëpunimi rajonal dhe ndërshqiptar si dhe çështjet rreth integrimit euroatlantik.

Rama gjatë qëndrimit në Tetovë do të bëjë promovimin e librit Kurban në ambientet e Universitetit Shtetëror të Tetovës. Kreu socialist mbrëmë promovoi librin e tij në Qendrën teatrore për fëmijë në Çarshinë e Vjetër të Shkupit, ndërsa dje pasdite zhvilloi një takim me kreun e partisë Lidhja Social Demokrate Maqedonase, Branko Cërvenkovski.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›