E Diel, 1 Nëntor 2026

Maqedoni, aktivitete për 100 vjetorin e lindjes së nobelistes Nëna Terezë



Në Maqedoni sot do të shënohet 100 vjetori i lindjes së nobelistes shqiptare Gonxhe Bojaxhiu- Nënë Tereza me një sërë aktivitetesh kulturore dhe artistike.

Gjatë paradites u bë shpalosja e pllakës së spitalit gjinekologjik në Shkup, që u pagëzua me emrin "Nëna Tereza".
Më pas do të vendosen lule të freskëta pranë pllakës së shtëpisë së lindjes së Nënës Terezë në sheshin e Shkupit, përballë City Plaza.

Në Parlamentin e Maqedonisë do të mbahet një seancë përkujtimore, ndërsa delegacioni parlamentar i përbërë nga të gjitha partitë politike do të vendos lule pranë bustit të humanistes shqiptare në sheshin e Shkupit.

Në kuadër të Parlamentit do të ndahet edhe çmimi vjetor "Nëna Tereza", i cili do ti takojë shkrimtarit, botuesit dhe publicistit Halil Zendeli.

Në mbrëmje do të bëhet promovimi i këngës dhe video spotit për këngën "Një shekull dashuri" të kënduar nga Ardian Gaxha, Leonora Poloska, Selami Kolonja, Besiana Mehmedi, Mustafa Ymeri, Laura Krliu, Berkan dhe Valon Suma.

Me rastin e këtij përvjetori të 100 janë hapur edhe ekspozita të artistëve shqiptarë, por edhe ekspozita me fotografi e fotografit kroat Zvonimir Atletiq.

Humanistja dhe nobelistja shqiptare Gonxhe Bojaxhiu u lind më 26 gusht të vitit 1910 në familjen Bojaxhiu në Shkup, ku jetoi për 18 vjet në vendlindjen e saj dhe më pas vendosi misionin ta kryej në Kalkuta të Indisë, ku edhe ndërroi jetë në vitin 1997.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›