E Diel, 1 Nëntor 2026

Maqedoni, analistët të ndarë në qëndrime për zgjedhjet e parakohshme

Analistët shprehen të ndarë rreth alternativave për daljen nga kriza politike që ka përfshirë qeverinë. Për Ismet Ramadanin qeveria aktuale nuk mund të vazhdojë të funksionojë më, për shkak të provokimeve që VMRO DPMNE i bën partnerit të koalicionit BDI-së me ligjin për branitellat. Sipas Ramadanit BDI duhet t`i përgjigjet me të njëjtën ashpërsi Gruevskit, ashtu siç bëri ai dje nga Kërçova. Por për Sasho Klekovskin qeveria duhet të vazhdojë të funksionojë dhe të vendosë dialog mes të gjitha palëve, drejt përafrimit të qëndrimeve rreth konfliktit të 2001-shit.
 

“Tonet e kryeministrit në deklarimin e tij, sipas meje ishim edhe mjaft kërcënuese duke mbrojtur VMRO-në dhe elektoratin e tij me fjalë me të cilat bëjnë me dije se BDI duhet të jetë e përgatitur që t`i kthejë me të njëjtën masë me një deklaratë apo veprim i cili me siguri do të çojë deri te dalja nga qeveria duke shpjeguar mirë daljen dhe duke thënë të vërtetën për Gruevskin si kryeministër se është fatkeqësi për Maqedoninë por edhe për shqiptarët. Është momenti i fundit që kryeministrit Gruevskit t`i vehet një stop se më tutje kështu nuk mundet”, tha Ismet Ramadani, analist.
 

“Unë nuk shoh se në këtë situatë mund të ndryshohet diçka serioze, përsa i përket skenës politike dhe rezultateve eventuale nga zgjedhjet e reja. Megjithatë edhe pse qëndrimet rreth 2001-shit edhe për VMRO edhe për BDI-në janë parimore, për mua nuk ka dilemë se këto çështje duhet të zgjidhen edhe pas zgjedhjeve, d.m.th duhet të gjejmë mënyrën si ta zgjidhim çështjen e 2001-shit me metoda të tjera dhe jo përmes zgjedhjeve. Për mua, më e rëndësishme është të vazhdojë dialogu mes dy, tre apo të gjitha palëve rreth shikimit historik të 2001-shit në vend që të ngutet me zgjedhje të reja të cilat nuk do ta ndryshojnë në mënyrë serioze këtë imazh”, tha Sasho Klekovski, analist.
 

Ramadani nga ana tjetër beson se zgjedhjet e ardhshme parlamentare do të organizohen së bashku me ato lokale, ndërkohë që mënyrë e vetme për ndryshimin e politikave aktuale dhe për përparimin e vendit do të jetë vetëm një qeveri me përbërje të re dhe pa Gruevskin në krye të saj.
 

“Vet situata e krijuar imponon zgjedhje të parakohshme, është me rëndësi që në zgjedhjet e ardhshme, unë besoj se ato do të jenë bashkë me zgjedhjet lokale do të ishte mirë që kjo udhëheqësi në krye me Gruevskin të mos jetë në pushtet që disa çështje të marrin udhën e vet, hapjes së rrugëve që garantojnë anëtarësim të Maqedonisë në NATO dhe integrim në BE dhe ndoshta me këtë përshepjtim të mbajtjes së zgjedhjeve e vetmja rrugë dhe mundësi që Maqedonia të marrë rrugën e progresin janë zgjedhjet e parakohshme dhe një kompozicion krejt tjetër në qeveri”, tha Ismet Ramadani, analist.
 

Ndërkohë Klekovski vlerëson se zgjedhje të reja nuk do t`i shkonin për shtat as opozitës e cila vendosi të dalë së bashku në zgjedhjet lokale, pasi edhe ajo do të përballet me të njëjtin problem, për të cilën ka shprehur qëndrime diametralisht të kundërta.
 

“Kjo mund të jetë një pengesë për opozitën, sepse PDSH-ja dhe LSDM-ja sapo u morën vesh dhe tani do t`u duhet të ballafaqohen me një problem për të cilën kanë qëndrime të kundërta. Përfitimin nga zgjedhjet, që opozita e bashkuar priste të korrte, do të viheshin në kërcënim sepse për këtë çështje as LSDM-ja dhe PDSH-ja nuk mund të ndërtojnë qëndrim të përbashkët”, tha Klekovski.
 

Kryeministri Gruevski deklaroi dje se qeveria gjendet në krizë politike pas nderimit të UCK-së në Sllupçan, duke theksuar madje se ishte i gatshëm për zgjedhje të reja parlamentare nëse një gjë të tillë donte edhe BDI-ja. Nga ana tjetër, BDI ka vënë si kusht të daljes nga qeveria, miratimin në kuvend të pr/ligjit për branitellat të propozuar nga vetë VMRO pak ditë më parë

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›