Maqedoni e Veriut, mbahet raundi i dytë i zgjedhjeve lokale

Qytetarët e Maqedonisë së Veriut, u janë drejtuar këtë të dielë kutive të votimit për raundin e dytë të zgjedhjeve vendore. Të drejtë vote kanë 1.353, 990 qytetarë. Numri i vendvotimeve ku qytetarët mund të shkojnë për të ushtruar të drejtën e tyre të votës është 2,481. Qendrat e votimit u hapën pa ndonjë problem ën orën 7 të mëngjesit dhe pritet të mbyllen në orën 19.00 të mbrëmjes.
Në këtë raund të dytë do të votohet në 44 komuna nga gjithsej 80 sa ka Maqedonia e Veriut, si dhe për kryetarin e Shkupit, që është njësi e veçantë e pushtetit lokal. Në këtë raund të dytë zgjedhjesh, LSDM-ja garon në 30 komuna, VMRO DPMNE-ja në 25 komuna, BDI-ja në 13, Aleanca për Shqiptarët në 7, Lëvizja Besa në dy dhe në një komunë kandidon kandidati i Partisë Demokratike Shqiptare.
Në raundin e parë të zgjedhjeve u arrit të zgjidheshin 34 kryetarë të komunave, si dhe anëtarët e asambleve komunale të të gjitha 80 komunave. Në atë raund, numrin më të madh të komunave e fitoi opozita maqedonase që drejtohet nga VMRO DPMNE-ja, kandidatët e së cilës arritën fitore në 22 njësi. Lidhja Social-Semokrate (LSDM) e kryeministrit Zoran Zaev ka fituar në nëntë komuna, ndërsa në tri komuna Bashkimi Demokratik për Integrim.