Maqedoni filloi heshtja zgjedhore, të dielën raundi i dytë

Raundi i dytë i zgjedhjeve lokale të dielën do të jetë në 29 komuna dhe Qytetin e Shkupit, ndërsa rivotime për raundin e parë do ketë në dy komuna.
Në Maqedoni ka hyrë në fuqi heshtja zgjedhore, dhe se partitë mbrëmë i dhanë fund fushatës për raundin e dytë të zgjedhjeve lokale që do të mbahen të dielën.
Për 14 ditë fushatë partitë politike, nismat qytetare dhe kandidatët e pavarur shpalosën programet dhe platformat zgjedhore para elektoratit për të kërkuar votën dhe besimin e qytetarëve, shkruan Ina.
Raundi i dytë do të zhvillohet në 29 komuna dhe në Qytetin e Shkupit. Përveç këtij balotazhi, do të ketë rivotime për raundin e parë në komunën e Strumicës dhe atë të Dollnenit, për shkak të parregullsive.
Balotazhi do të zhvillohet në këto komuna: Haraçinë, Berovë, Manastir, Bogdanci, Bërvenicë, Butel, Veles, Vrapçishte, Gostivar, Shkup, Debarcë, Dellçevë, Gjorçe Petrov, Jegunovcë, Kavadarcë, Karbincë, Karposh, Koçan, Kumanovë, Lozovë, Mogillë, Resnjë, Staro Nagoriç, Gostivar, Strugë, Studeniçan, Tearcë, Tetovë, Qendër, Çair dhe Çeshinovë – Obleshevë.
Partitë shqiptare na raundin e dytë konkurrojnë: Tetovë, Gostivar, Strugë, Çair, Haraçinë, Vrapçishte, Tearcë.
Në raundin e parë të zgjedhjeve lokale të 24 marsit u zgjodhën 49 kryetar të komunave. Sipas planit të decentralizimit, Maqedonia është e ndarë në 80 komuna dhe Qytetin e Shkupit. Të drejtën e votës e shfrytëzuan 1.743.403 qytetarë me të drejtë vote./Indeksonline/