Maqedoni, kërkohet heqja e vizave nga Britania dhe Irlanda

Ministria e Jashtme e Maqedonisë do të kërkojë nga Britania e Madhe heqjen e vizave në një pako me Irlandën.
Një grup pune në kuadër të kësaj ministrie ka nisur aktivitetet për të punuar në këtë drejtim dhe për të hapur negociatat me palën britanike, për të kërkuar heqjen e vizave.
Sipas agjensisë së lajmeve Ina, britanikët pritet të formojnë një ekip pune pranë Forin Ofisit britanik për të vlerësuar kërkesën e Shkupit zyrtar dhe për të sjellë vendimin përfundimtar.
Nxitja për të filluar aktivitetet e palës maqedonase në këtë drejtim ishte bërë nga ish-ambasadori britanik Endrju Ki, i cili kishte inkurajuar përfaqësuesit e Ministrisë së Jashtme që të nisin harmonizimin e një platforme me kërkesat dhe kushtet për liberalizimin dhe heqjen e vizave për qytetarët e Maqedonisë nga ana e Londrës zyrtare.
Sipas legjislacionit britanik, për të përfituar liberalizim dhe heqje vizash për të hyrë në Britaninë e Madhe, vendet e interesuara apo aspirante duhet të plotësojnë një sërë kushtesh dhe procedurash teknike, por edhe kushte politike.
MPJ ka vlerësuar jozyrtarisht se në Britaninë e Madhe jetojnë dhe punojnë rreth 10 mijë qytetarë nga Maqedonia. Pas heqjes së vizave nga Bashkimi Evropian, qytetarët e Maqedonisë në 143 shtete të botës do të duhet të hyjnë me viza, edhe në Britaninë e Madhe, Irlandë, SHBA, Kanada, Australi, Zelandë e Re, Meksikë, etj.