Maqedoni, nisën sot zgjedhjet

Në Maqedoni ka nisur sot procesi zgjedhor, ku do të zgjidhet presidenti i vendit, dhe drejtuesit e pushtetit vendor. Këto zgjedhje, janë vendimtare për Maqedoninë, në procesin e saj integrues në drejtim të NATO-s dhe Bashkimit Evropian. Mbi 1 milion e 700 mijë qytetarë me të drejtë vote të do të zgjedhin presidentin e ri të vendit si dhe kryetarët e 84 komunave dhe të Kryeqytetit, Shkupit. Banorët e Shkupit, madje duhet të plotësojnë edhe dy fletëvotime më shumë: një për prefekt të Shkupit dhe një për Këshillin e qytetit. Komisioni Shtetëror i Zgjedhjeve është shprehur i shqetësuar, për shkak të kushteve të vështirësuara nga reshjet e dëborës, që rrezikon shpërndarjen e materialeve të nevojshme për zgjedhjet nëpër zona të thella të vendit. Maqedonia dje është mbuluar nga dëbora dhe vende-vende trashësia kalon gjysmë metri, duke pamundësuar ose vështirësuar tej mase qarkullimin. Ministria e Punëve të Brendshme maqedonase ka njoftuar se shërbimet për dhënien e letërnjoftimeve do të punojnë gjatë gjithë ditës së sotme,me qëllim që qytetarët të mund ta realizojnë pa pengesa të drejtën e tyre votuese. Sot prej orës 7.00 deri në orën 12.00 do të pranohen kërkesat për letërnjoftime ndërsa letërnjoftimet e përpunuara do të jepen deri në mbylljen e vendvotimeve, deri në orën 19.00. Në garën për president kanë hyrë shtatë kandidatë, katër maqedonas dhe tre shqiptarë, ndër të cilët është dhe e vetmja grua që konkurron për këtë post, kandidatja e PDSH-së, Mirushe Hoxha. Sipas sondazheve te kryera, garën presidenciale mund ta fitoje Gjorgji Ivanov, kandidat i partisë së kryeministrit Gruevski, VMRO-DPMNE. Në garën për kryetarë të komunave ka mbi 700 kandidatë, dhe disa mijë për Këshillat e Komunave. Monitoruesit vendor të akredituar nga ana e KSHZ-së janë 6.981, numri më i madh janë nga Asociacioni qytetar MOST me 4.520. 524 monitorues të huaj të akredituar për ndjekjen e këtyre zgjedhjeve, prej të cilëve 297 janë vëzhgues të OSBE/ODIHR.