E Diel, 1 Nëntor 2026

Maqedoni, partitë shqiptare bojkotojnë festimet e pavarësisë

Partitë shqiptare në Maqedoni kanë paralajmëruar se nuk do të marrin pjesë në festimet që do të zhvillohen sot për pavarësinë e Maqedonisë.

Partia Demokratike ka deklaruar se në parim nuk është kundër festimeve të datave të ndryshme që përkujtojnë evenimente shtetërore të rëndësishme, por është kundër festimeve që simbolizojnë nënshtrim, diskriminim të shqiptarëve në Maqedoni.

Deputeti i PDSH-së, Bekim Fazliu ka theksuar se, fatkeqësisht edhe pas 20 viteve pavarësi, shqiptarët si element kryesor shtet-formues në Maqedoni, mbeten të përjashtuar nga shtetformimi dhe nga vendi që u takon.

“Nuk shohim element shqiptar në këtë manifestim dhe për këtë arsye, RDK do ta bojkotojë atë. Maqedonia është shtet multietnik, bëjmë apel që edhe partitë e tjera të bojkotojnë këtë manifestim monoetnik”, është shprehur zëdhënësi i Rilindjes Demokratike Kombëtare (RDK), Armir Ramadani.

Paralajmërime të sigurta për bojkot vijnë edhe nga Bashkimi Demokratik Kombëtar (BDK).

“Megjithëse jam i ftuar në cilësinë e ish- nënkryetarit të Parlamentit të Republikës së Maqedonisë të marr pjesë në shënimin e 20 vjetorit të pavarësisë së Maqedonisë, nuk do të merr pjesë në këto manifestime”, deklaroi kreu i BDK-së, Hysni Shaqiri.

“Që të ketë kuptim festimi i përbashkët, pala maqedonase do të duhet të heq dorë nga diskriminimi i shqiptarëve në të gjitha fushat e jetës, shprehet Shaqiri.

Edhe partitë e tjera jo parlamentare si BDSH, PDK dhe PPD kanë paralajmëruar bojkotin.

Ndërkohë, përfaqësuesit shqiptarë në qeveri kanë shfaqur dilema lidhur me pjesëmarrjen në ceremoninë e paralajmëruar për shënimin e 20 vjetorit të pavarësisë së Maqedonisë.

Zëvendëskryeministri për implementimin e Marrëveshjes së Ohrit, Musa Xhaferi ka deklaruar se shqiptarët do të shënojnë 20 vjetorin e pavarësisë së Maqedonisë, aq sa maqedonasit festojnë dhe ndjejnë Marrëveshjen e Ohrit.

Maqedonia shënon sot përvjetorin e 20-të të pavarësisë së saj pas shpërbërjes së ish-Jugosllavisë ndërsa në të gjithë vendin do të zhvillohen aktivitete të ndryshme festive.

Të gjitha manifestimet janë me elemente të theksuara kombëtare, duke humbur karakterin multietnik të këtij vendi.

Sipas programit të manifestimeve dhe kryesisht manifestimit qendror që do të mbahet në sheshin e Shkupit, ku do të bëhet edhe promovimi i përmendores së “Aleksandrit të Madh”, janë parashikuar manifestime dhe programe artistike me elemente ekskluzivisht maqedonase.

Manifestimi qendror fillon sot në Parlamentin e Maqedonisë me një mbledhje soleme dhe më pas pason transferimi i Deklaratës së Pavarësisë nga Parlamenti në Muzeun e ri të ashtuquajtur “Muzeu i luftës maqedonase për shtetësi dhe pavarësi” i ndërtuar pranë lumit Vardar në pjesën qendrore në kuadër të projektit “Shkupi 2014”.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›