Kosovë, arrestohen tre aktivistë të Vetëvendosjes
Policia e Kosovës ka arrestuar sot 3 aktivistë të lëvizjes "Vetëvendosje", gjatë protestës së organizuar sot para hyrjes kryesore të Kuvendit Komunal të Prizrenit, për të kundërshtuar projektligjin për qendrën e qytetit, i cili sot po debatohet nga këshilltarët komunalë të Prizrenit.
Në një njoftim të "Vetëvendosjes" thuhet se policia tentoi që të shpërndante protestën dhe më pas ka arrestuar edhe tre aktivistë të saj të cilët janë Kushtrim Dakaj, Edi Kabashi dhe Jaser Ymeri.
“Me gjithë përpjekjen e policisë protesta po vazhdon dhe asaj po i bashkëngjiten edhe qytetarët e Prizrenit. Mbledhja e Kuvendit Komunal po vazhdon, ndërkaq përballë protestuesve qëndron njësia speciale e policisë, i cila e ka bllokuar hyrjen”, thuhet në reagimin e Lëvizjes "Vetëvendosje".