Maqedoni, qeveria do të shpallet gjatë kësaj jave

Qeveria e re e Maqedonisë pritet të shpallet gjatë kësaj jave, pasi është finalizuar marrëveshja e koalicionit midis VMRO-DPMNE dhe BDI.
Lajmi konfirmohet për agjencinë e lajmeve INA edhe nga selia e BDI-së, por edhe nga partia VMRO-DPMNE e mandatarit Nikolla Gruevski.
Jozyrtarisht bëhet e ditur se është arritur edhe marrëveshja për ndarjen e disa drejtorive të rëndësishme, por që nuk jepen detaje mbi marrëveshjen.
BDI është e vendosur që të drejtojë njërën nga dy drejtoritë relevante të Ministrisë së Punëve të Brendshme: Drejtorinë e Sigurimit Publik dhe Drejtorinë për Siguri dhe Kundërzbulim si dhe njërën nga dy drejtoritë e rëndësishme të Ministrisë së Financave: Drejtorinë e të Ardhurave Publike apo Drejtorinë e Doganave.
BDI synon që marrëveshja e koalicionit ta përfshijë në programin qeveritar edhe programin e tyre zgjedhor dhe kërkesa tjera që kërkojnë zgjidhje brenda një afati të shkurtër të bashkëqeverisjes.
Partia që drejtohet nga Ali Ahmetiu deri tani nuk kanë zbardhur asnjë emër se kush do të drejtojë ministritë dhe disa nga emrat që do të jenë në detyrat e zëvendësministrave, sekretarëve shtetërorë dhe drejtorive.
BDI ka siguruar postet e zëvendëskryeministrave për Marrëveshjen e Ohrit dhe Evrointegrimet, Ministrinë e Mbrojtjes, Ministrinë e Drejtësisë, Ekonomisë, Ekologjisë, Pushtetit Lokal, ndërsa ajo ka siguruar 4 vende të zëvendësministrave, 5 të sekretarëve shtetërorë si dhe rreth 30 drejtori nga 75 drejtori dhe ndërmarrje publike.