Maqedoni, risi për çështjen e nënshtetësisë

Parlamenti i Maqedonisë miratoi mbrëmë vonë ndryshimet e Ligjit për nënshtetësinë, për lehtësimin e çështjeve administrative.
Zëvendësministri i Punëve të Brendshme (MPB), Xhelal Bajrami deklaroi se me këto ndryshime formohet një Komisioni i posaçëm Shtetëror që do të merret me shqyrtimin e lëndëve, që do të zëvendësojë komisionet qeveritare të shkallës së dytë, informon agjencia e lajmeve INA.
Gjithashtu, sipas tij, me ndryshimet e reja mundësohet që qytetarët ankesat ti bëjnë përmes Gjykatës Administrative dhe jo në nivelet e tjera.
“Kjo shkurton procedurën që qytetarët të zgjidhin më lehtë çështjen e shtetësisë, sepse kemi harmonizuar ligjin me legjislacionin evropian. Besojmë se do të zgjidhen rastet e qytetarëve që nuk kanë shtetësi. Këto ndryshime përmirësojnë zgjidhjen dhe janë në interes të qytetarëve”, deklaroi zëvendësministri Bajrami.
Nga ana tjetër, deputeti i RDK-së, Izet Zeqiri në fjalimin e tij kërkoi ndryshime urgjente edhe në pjesën e ligjit, që obligon njohjen e gjuhës maqedonase për qytetarët shqiptarë. “Meqë në bazë të kushtetutës dhe Marrëveshjes së Ohrit, gjuha shqipe është zyrtare, atëherë kjo nuk obligon shqiptarët dhe nuk ka nevojë për këtë kusht”, deklaroi Zeqiri.
Sipas tij, janë me dhjetëra raste në Kumanovë, Tetovë dhe Shkup, që kanë të bëjnë me problematikën e shtetësisë, ku qytetarë shqiptarë që kanë lindur dhe jetojnë me dekada të tëra në Maqedoni nuk posedojnë akoma të drejtën e shtetësisë.
Deputeti i Lidhjes Demokratike, Pavle Trajanov kërkoi që të mos debatohet për çështjen e nënshtetësisë, pasi që sipas tij, mijëra shqiptarë të ardhur nga Kosova janë pajisur me këtë të drejtë gjatë viteve të 90-ta në Maqedoni. Sipas tij, në vitin 1994 janë dhënë brenda një periudhe të shkurtër mbi 120 mijë shtetësi për shqiptarët, që siç tha ai janë nga Kosova. Por, lidhur me këtë ka reaguar deputeti Zeqiri, i cili ka sqaruar se nuk bëhet fjalë për qytetarë nga Kosova, por për qytetarë që kanë lindur dhe janë rritur në Maqedoni dhe që kanë qëndrim me dhjetëra vite. Problemi i shtetësisë vazhdon të ngjallë debate politike në Maqedoni, sidomos duke nxitur debate midis dy komuniteteve më të mëdha shqiptare dhe maqedonase.