Maqedoni, tejkalohen mosmarrëveshjet për regjistrimin

Dy partitë e koalicionit VMRO-DPMNE dhe BDI në Maqedoni kanë rënë dakort që të pranojnë propozimin e anëtarëve shqiptarë të Komisionit Shtetëror për Regjistrim (KSHR) ku parashikohet që regjistruesit në rajonet e banuara me shqiptarë të pasqyrojnë numrin e etniteteve që jetojnë në ato rajone.
Ky problem deri tani kishte bllokuar procesin e parapërgatitjeve përfundimtare për regjistrimin, pasi anëtarët maqedonas dhe kryetarja Vesna Janevska kërkonte që në zonat shqiptare ta kryenin regjistrimin ekipe të etnive të ndryshme.
“Është arritur marrëveshja që të respektohet struktura etnike e rajoneve të regjistrimit dhe në bazë të saj do të formohen edhe ekipet e regjistruesve”, deklaroi zëvendëskryeministri për implementimin e Marrëveshjes së Ohrit, Musa Xhaferi, duke theksuar se këtë e parashikon edhe ligji për regjistrimin.
Pavarësisht këtij vendimi, PDSH si partia më e madhe opozitare shqiptare në Maqedoni ka kërkuar shtyerjen e regjistrimit për muajin korrik të vitit të ardhshëm, me qëllim që të mos anashkalohen shqiptarët të cilët ndodhen në emigrim.