E Diel, 1 Nëntor 2026

Suedi, akuzohet një serb për krime lufte në Kosovë

Prokurorët në Suedi kanë akuzuar një shtetas serb për krime lufte në Kosovë. Sipas mediave ndërkombëtare 34 vjeçari Miliç Martinoviç, akuzohet për pjesëmarrje në vrasjen masive të shqiptarëve gjatë luftës së vitit 1999. Ai akuzohet për vrasje, tentim vrasje, rrëmbim, grabitje dhe zjarrvënie në fshatin Qyshk të komunës së Pejës në Kosovën perëndimore.

Ai ishte arrestuar në prill të vitit 2010 në Stokholm të Suedisë, ku kishte kërkuar strehim. Procesi gjyqësor kundër tij pritet të fillojë të hënën e ardhshme.

Miliç Martinoviç ishte pjesëtar i forcave të posaçme të policisë serbe të cilët akuzohen se më 14 maj të vitit 1999 kanë kryer vrasjen e 40 civilëve shqiptarë në fshatin Qyshk.

Në shtator të vitit 2010 prokuroria serbe për krime të luftës kishte ngritur padi ndaj nëntë ish paraushtarakëve serbë lidhur me këtë ngjarje. Ata akuzohen për vrasje, përdhunime, shkatërrim të pronës dhe plaçkitje me qëllim frikësimin e civilëve shqiptarë në mënyrë që t`i detyrojnë ata të largohen nga vendbanimet e tyre dhe të shpërngulen në Shqipëri.

Në aktakuzë thuhet se të akuzuarit, pjesëtar të njësive paraushtarake të njohura si “Çakajt ”, "janë treguar të dhunshëm dhe të pamëshirshëm", ndërsa kanë djegur më pas trupat e viktimave për të penguar identifikimin e tyre.

Në mesin e të vrarëve në këtë ngjarje ishte edhe Hasan Çeku, babai i ish kryeministrit të Kosovës Agim Çeku dhe disa anëtarë të familjes së tij.

Prokuroria serbe kishte bërë të ditur se në atë ngjarje janë të përfshirë edhe 17 të dyshuar që ndodhen në arrati dhe se ndaj tyre janë lëshuar fletarreste nëpërmjet Interpolit.

Mbi 10 mijë persona janë vrarë gjatë luftës në Kosovë e cila morri fund me ndërhyrjen e trupave të NATO-s.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›