E Shtunë, 31 Tetor 2026

Maqedoni, zgjidhet Qeveria e re

Parlamenti maqedonas ka votuar me 70 vota pro dhe 47 kundër, përbërjen e re të koalicionit qeveritar midis VMRO-DPMNE dhe partisë shqiptare BDI.
Rritja e zhvillimit ekonomik dhe punësimet, integrimi i Maqedonisë në BE dhe në NATO, lufta e pakompromis kundër korrupsionit dhe krimit, mirëmbajtja e marrëdhënieve të mira ndëretnike dhe investim në arsim, shkencë dhe teknologji informatike, janë pesë prioritetet të cilave do t`u përkushtohet Qeveria e re.
Kabineti i ri qeveritar ka dhënë betimin para deputetëve për mandatin e ri. Në koalicionin e ri qeveritar, BDI udhëheq me 5 ministri dhe 2 poste të zëvendëskryeministrave, ndërsa nga një ministri pa resor do të kenë përfaqësuesit e komunitetit turk dhe rom.
Votimi i Qeverisë së re pasoi pas dy ditësh debatesh të ashpra midis pozitës dhe opozitës. Nikolla Gruevski është kryeministri i gjashtë pas pavarësisë së vendit, ndërsa ai po udhëheq me mandatin e tretë për kryeministër të vendit pas fitores në zgjedhjet e vitit 2006 dhe ato të parakohshme të vitit 2008 dhe 2011.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›