E Diel, 1 Nëntor 2026

Maqedonia, në dilemën e referendumit për emrin

Në Maqedoni këto kohët e fundit po flitet shumë për mundësinë e organizimit të një referendumi popullor për çështjen e emrit të vendit, pra që banorët të shprehin përmes tij mendimin e tyre për emrin e Maqedonisë. Në favor të zhvillimit të referendumit është, në radhë të parë, Kryeministri i vendit, Nikolla Gruevski, pra qeveria maqedonase. Por, ndaj tij (referendumit) ka shumë rezerva bashkësia ndërkombëtare, sidomos Komisioni Europian (KE), i cili, në formë rekomandimi i ka thënë Shkupit që të mos zhvillojë referendum, duke pasur frikë se ai mund të shndërrohet në një kuti Pandore. Por sidoqoftë, fjala e fundit për referendumin i përket qeverisë së Maqedonisë, prandaj në KE konsiderojnë se nëse në fundit të fundit ajo (qeveria) vendos për zhvillimin e referendumit, atëherë duhet të respektohen të gjitha parametrat për zhvillimin e një referendumi, pra në të, duke pasur parasysh popullsinë e përgjithshme të vendit (pak më shumë sesa 2 milionë banorë) duhet të marrin pjesë të paktën 900 000 veta, që ai të konsiderohet zyrtarisht i suksesshëm, se atë duhet ta paraprijë një fushatë e rregullt e pozitive, se përgatitjet për zhvillimin e referendumit duhet të zgjasin, minimumi katër javë dhe maksimumi gjashtë javë. Të gjithë parametrat kryesorë të përmendur më sipër përbëjnë detyra jo të lehta për t‘u zgjidhur nga qeveria maqedonase, por, sidomos, më e vështira është kjo e fundit, sepse pikërisht koha i mungon asaj. Bashkësia ndërkombëtare, në raste të ndryshme, i ka bërë të ditur Maqedonisë se ajo duhet ta zgjidhë mosmarrëveshjen për çështjen e emrit me Greqinë, e shumta, deri në fund të këtij viti, sepse, përndryshe, përcaktimi i datës së fillimit të bisedimeve të pranimit mes BE-së dhe Maqedonisë do të shtyhet për në "kalendat greke", ndërsa dihet që ky vend mbeti jashtë NATO-s, pikërisht, për shkak të moszgjidhjes së çështjes së emrit që çoi në përdorimin e vetos nga Greqia ndaj pranimit të Maqedonisë në NATO në Samitin e Bukureshtit të Aleancës së Atlantikut Verior.

Në këto kushte, në qarqet politike dhe opinionin publik të Maqedonisë ka mjaft debate, polemika dhe dilema lidhur me nevojën e zhvillimit të referendumit për çështjen e emrit që, sikurse dihet, për maqedonasit është mjaft e ndjeshme, saqë në shumicën e rasteve qëndrimi tyre është nacionalist, jo aq në kuptimin pezhorativ të kësaj fjale, sesa në kuptimin se mungesa e tolerancës e la atë jashtë NATO-s dhe kërcënon ta lejë edhe jashtë BE-së. Sidoqoftë, një numër jo i vogël analistësh dhe politologësh maqedonas janë kundër zhvillimit të referendumit, për më tepër që kundër tij, në parim, është edhe vetë BE-ja. Përse i duhet qeverisë referendumi popullor, kur dihet mjaft mirë dhe është më se e qartë se shumica dërrmuese e popullsisë së Maqedonisë (afro 95 për qind) është kundër ndryshimit të emrit kushtetues dhe kjo shifër ka dalë nga një serë anketash, të zhvilluara edhe kohët e fundit në Maqedoni. "Me siguri, qeveria, në rast se vendosë në favor të referendumit, do të hyjë në fushatë që të promovojë qëndrimin e saj që do të ishte edhe logjike, por, megjithatë, për këtë asaj i duhet kohë dhe kjo do të thotë, e pakta, katër javë dhe, e shumta, gjashtë javë që të përgatitet për këtë fushatë", thotë analisti Sasho Peshev i organizatës joqeveritare "Nju moment", duke shtuar se, "tani për tani, nuk ka asnjë shenjë se ndokush, diku, po përgatit ndonjë lloj fushate për të përgatitur opinionin publik për referendumin". Kundër referendumit shprehet edhe analisti tjetër i njohur maqedonas, Zharko Trajanovski, i cili shprehet: "Thjesht, nuk besoj se referendumi do të ketë sukses, sepse midis njerëzve nuk ka një predispozicion të tillë. Gjatë të gjithë kohës, qytetarët janë nxitur në mënyra të ndryshme që të mendojnë se qeveria jonë po lufton për emrin kushtetues, për ruajtjen e këtij emri, që të mos ndryshohet emri ndërkombëtar i vendit, pra që emri kushtetues të jetë edhe emri ndërkombëtar. Tani shumë njerëz po e kuptojnë se ata janë manipuluar dhe, kështu, nuk besoj që njerëzit, në përgjithësi, të dalin dhe të marrin pjesë në referendum.

M.Sinemati

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›