E Shtunë, 31 Tetor 2026

Aksidentohet për vdekje një 44-vjeçar, policia nis hetimet për autorin

Dje në mëngjes është gjendur trupi i pajetë i një 44-vjeçari në aksin rrugor Berat- Ura-Vajgurore, ndërkohë që pas hetimeve të para policia deklaroi se kemi të bëjnë me një aksident automobilistik të ndodhur gjatë natës. Banorët e fshatit Otllak kanë njoftuar organin blu në Berat se në mbikalimin e rrugës kryesore ishte parë trupi i pajetë i një burri rreth të 40-ave. Ekspertët e policisë kanë udhëtuar menjëherë drejt vendit të ngjarjes, ku është identifikuar se viktima ishte Tajar Ymeri, banor i fshatit Orizaj në Komunën Otllak. Trupi pa jetë, sipas policisë, ishte goditur nga një mjet që ka udhëtuar me shpejtësi në rrugë gjatë orëve të vona të natës së mbrëmshme. Sipas deklarimit të banorëve të zonës 44-vjeçari, rreth orës 23:00 të së premtes kishte dalë nga një lokal i fshatit për të shkuar në banesën e tij. Gjatë kohës që ai ka kaluar nga një anë rruge në tjetrën, dyshohet se është përplasur nga një mjet dhe ka përfunduar në bordurën e mbikalimit. Përplasja me mjetin ka qenë fatale për babanë e tre fëmijëve, i cili dyshohet se ka gjetur vdekjen e menjëhershme. Trupi pa jetë është dërguar në morgun e qendrës spitalore të Beratit ku është konstatuar se shkak i vdekjes ka qenë përplasja e fuqishme nga një mjet. Ekspertët e qarkullimit rrugor, që kryen hetimet e para, deklaruan se është e vështirë identifikimi i mjetit që ka shkaktuar aksidentin, pasi reshjet e shiut të rëna gjatë natës kanë fshirë çdo gjurmë. Ky aks rrugor është bërë problematik kohët e fundit, për shkak të mungesës së sinjalistikës.

Mi.H.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›