E Shtunë, 31 Tetor 2026

Gafat e Jeremiçit ndaj shqiptarëve

Ministri i Jashtëm serb, Vuk Jeremiç, gjatë seancës së "gjyqit" ndaj tij në Parlamentin Europian u shqua për elokuencën e tij në gjuhën angleze e njëkohësisht për numrin e lartë të gafave që lëshoi gjatë ballafaqimit me eurodeputetët. Kjo sepse shefi i diplomacisë së Beogradit ka humbur durimin gjatë "gozhdimit" me pyetje nga parlamentarët evropianë. Më poshtë po japim pyetjet e eurodeputetëve dhe përgjigjet e Vuk Jeremiç, i cili cilësohet si një nga "yjet" e politikës dhe diplomacisë serbe.

Jeremiç: "Ju po kombinoni pushim pas Kroacisë dhe JO Turqisë‘ dhe duhet të mendoni sesi ndihemi ne në Ballkan, ne që ishim për 500 vjet në të njëjtën varkë me Turqinë. Shumëkush mund të mendojë se po na shtyni në të njëjtën varkë sërish".

Jelko Kacin - raportues për Serbinë në PE

"Serbia nuk mund të mbetet peng dhe viktimë e së kaluarës së saj, ju lutem dëshmojeni që kemi një të ardhme në Europë dhe se e shihni të ardhmen e Ballkanit në Europë".

Jeremiç: "Ju do të më pyesni se si do të veprojmë ne nëse Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë vlerëson se deklarata e njëanshme e pavarësisë ishte konform së drejtës ndërkombëtare, por unë do t‘ju pyesja çfarë do të bënit ju, ata 22 prej jush, nëse kjo gjykatë do vlerësonte se ishte shkelje e së drejtës ndërkombëtare".

Arnaut Daenian - eurodeputet francez: "Realiteti politik i BE-së është se nga 27 anëtarë, 22 prej tyre e kanë njohur pavarësinë e Kosovës dhe nuk i rikthehen më kësaj çështjeje".

Jeremiç: "Shumë prej jush e dinë se ne kemi ndjenja të posaçme historike dhe shpirtërore ndaj Kosovës".

Ulrike Lunacek - raportuese e PE për Kosovën: "E di që është shumë e vështirë për ju dhe e di se keni thënë shpeshherë se kurrë nuk do ta njihni shpalljen e njëanshme të pavarësisë. Ju e dini mirë se nuk është mënyra më mirë që në politikë të thuash "KURRË" nëse duam të ardhme të përbashkët".

Jeremiç: "Serbia është shteti kyç, shteti strategjik në rajon, kjo më së miri reflektohet me faktin se ju keni 2 raportues për Serbinë, zotin Kacin dhe zonjën Lunacek. Kështu e shohim ne".

Ulrike Lunacek: "Më lejoni t‘jua bëj mjaft të qartë: Unë në këtë Parlament jam raportuese për Kosovën, jo për Serbinë, sepse për të është zoti Kacin".

Jeremiç: "Është e pamundur që qeveria e Serbisë t‘i mbështesë zgjedhjet në Kosovë, sepse janë shkelje e Rezolutës 1244".

Ana Gomes - eurodeputete portugeze: "Askush nga ne nuk pret që ju t‘i mbështesni këto zgjedhje. Gjithçka që duam është që ju të gjeni mënyrën e t‘u sugjeroni serbëve të Kosovës që të marrin pjesë në votime".

Jeremiç: "U përmend këtu se disa serbë i kanë mbështetur këto zgjedhje. Por më lejoni t‘ju rikujtoj se edhe Millosheviçi kishte shqiptarë që punonin për qeverinë e tij, dhe ata ishin shqiptarë që e mbështesnin sundimin e Millosheviçit. Asnjëherë nuk kam menduar se ata shqiptarë kanë përfaqësuar vullnetin e vërtetë të shumicës".

Doris Pack - eurodeputete gjermane: "Serbët që jetojnë në Kosovë e duan të marrin pjesë në zgjedhje nuk mund të krahasohen me shqiptarët që ndihmuan Millosheviçin. Ky krahasim është i papranueshëm".

Marielle Desarnez - eurodeputete franceze: "Mendoj se 3 herë e përsëritët "ne po bëjmë gjithçka mundemi" atëherë pyetja ime është çfarë nuk bën pjesë në mundësitë tuaja z. ministër?".

Vuk Jeremiç: "Ju e dini shumë europianë e amerikanë po mundohen mjaft të kapin Osama Bin Laden, e askush nuk po dyshon në përpjekjet e tyre, edhe pse ata nuk e kanë gjetur ende. Ne po mundohemi t‘i gjejmë të akuzuarit dhe nuk do të heqim dorë nga kjo". Kjo nuk është hera e parë kur diplomacia serbe gozhdohet nga qëndrimet e eurodeputetëve. Situatë e ngjashme është paraqitur me ish-ministrin Vuk Drashkoviç në përballjen e tij të fundit me Komitetin e Jashtëm Europarlamentar.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›