Maqedonia, plan për ndërtimin e centralit bërthamor
Maqedonia po diskuton hartimin e një plani investimesh prej 8 miliardë eurosh, që do të përdoren në infrastrukturë, energji, ekologji, arsim dhe shëndetësi. Një nga planet e afërta të qeverisë së Shkupit është edhe ndërtimi i një centrali bërthamor. Kryeministri Nikolla Gruevski ka paraqitur programin investues në planin ekonomik për shtatë vitet e ardhshme. "Qeveria miratoi krijimin e agjencisë për zbatimin e energjisë bërthamore dhe nëse miratohet plani për centralin, afati i ndërtimit do të jetë 15 vjet", tha kreu i qeverisë. Por lideri i opozitës, LSDM, Zoran Zaev, deklaroi se premtimet e kryeministrit janë vetëm marketing politik. "Gruevski nuk ka shpenzuar asnjë denar për investimet shtetërore, jo më të investohen miliarda për centralin bërthamor. Ai nuk do të jetë edhe për shumë kohë në pushtet", është shprehur skeptik Zaev. Partitë shqiptare ndërkaq, nuk kane pranuar ta komentojnë planin e Gruevskit. Në projektin e saj shatëvjeçar, qeveria maqedonse parashikon investime në ndërtimin e minierave të reja, shkollave, objekteve sportive dhe banesave sociale.