E Shtunë, 31 Tetor 2026

Maqedonia s’ka vullnet për botimin e ri të enciklopedisë

04/04/2012  Kur Maqedonia kishte publikuar enciklopedinë e saj dy vjet më parë, dhe shqiptarët në të i kishte përshkruar si popull që kanë zbritur nga malet e veriut në shekullin XVI duke dëbuar maqedonasit nga shtëpitë e tyre, reagimet nga nivele të ndryshme të shqiptarëve kishin qenë të ashpra. Për enciklopedinë ishte thënë se do të korrigjohej dhe se shpërndarja e saj do të stopohej. Një redaksi e re ka ndalur punimet, siç është thënë, për mungesë të mjeteve financiare.

Por mediet në Maqedoni të hënën kanë raportuar ndryshe. Gazeta “Utrinski Vesnik” e Shkupit ka cituar ish-kryeredaktorin e enciklopedisë maqedonase, Blazhe Ristovski, të ketë thënë se gjysma e kopjeve të kësaj enciklopedie janë shitur dhe gjysma tjetër presin të dalin në treg.

Një tjetër e përditshme maqedonase problemin e ka trajtuar ndryshe. Gazeta “Dnevnik” e Maqedonisë ka “sulmuar” Fjalorin Enciklopedik Shqiptar, në të cilin, ndër të tjera, thuhet se Krusheva dhe Manastiri kanë qenë të populluara me shqiptarë, dhe se shqiptarët janë ndër popujt më të vjetër të Gadishullit me prejardhje nga ilirët. Të hënën, kjo e përditshme ballinën e ka hapur me tekstin që mban titullin “Për Tiranën, gjysma e Maqedonisë është shqiptare”, teksa i referohet një hulumtimi që i kanë bërë fjalorit që mban vulën e Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Shqipërisë. Kreu i këtij institucioni, akademiku Gudar Beqiraj, i ka thënë të hënën “Kohës Ditore” se gjithçka që është shkruar në atë fjalor është e dokumentueshme me fakte.

“Dnevnik” në tekstin e vet ka cituar historianin bullgar Krsto Mancev të ketë thënë se historia e Ballkanit është sikur oborr i privuar.

“Secili hyn në të dhe merr çka i duhet. A gjithmonë duhet diçka që të lavdëron dhe i demonizon fqinjët”, citohet të ketë thënë Mancev. Kryeakademiku maqedonas, Vlado Kambovski, nuk ka dashur të komentonte këtë shkrim, me arsyetimin se nuk e ka lexuar.

“Nuk ka vullnet që të përfundohet enciklopedia maqedonase. Më duket se nuk është fjala vetëm për mjetet, por mendoj se nuk është pjekur vetëdija për rëndësinë e kësaj pune”, citomn “Dnevniku” të ketë thënë akademik Mitko Mandjukov, kryeredaktori i ri i enciklopedisë

Deri atëherë në qarkullim do të mbetet enciklopedia e vjetër. Ish-kryeredaktori Ristovski në intervistën e tij për të përditshmen “Utrinski Vesnik” në Shkup, ka thënë se enciklopedia maqedonase asnjëherë nuk është tërhequr, por vetëm është bërë stopimi i përkohshëm i shpërndarjes së një pjese të tirazhit.

“Nuk mund të diskutohet për enciklopedinë e Maqedonisë nga ne për të ndryshuar, e as ata nuk mund të thonë të ndryshojmë fjalorin tonë enciklopedik. Ne mund të kontribuojmë në këtë drejtim, por pa futur hundët tek botimet e njëri–tjetrit”, ka thënë akademik Gudar Beqiraj.

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›