E Shtunë, 31 Tetor 2026

Këshillat si të kujdesemi për hipertensionin

04/04/2012  Ndikon në shfaqjen e sëmundjeve të zemrës, veshkave, çon në infarkt e diabet

Kontrolloni ushqimet që konsumoni, pakësoni kripën, duhanin e stresin

Pakujdesia në mbajtjen e një regjimi të ekuilibruar ushqimor, stresi i shumtë si dhe të bërit e një jete sedentare, në mungesë të aktiviteteve fizike, krahas trashëgimisë klasifikohen si faktorët që po çojnë në një rritje të shpejtë të numrit të pacientëve që vuajnë nga hipertensioni, ose presioni i lartë i gjakut, siç njihet ndryshe. Pavarësisht evidentimit të disa simptomave të zakonshme, kjo sëmundje në përgjithësi nuk ka simptoma specifike dalluese, duke e renditur si "vrasësi i heshtur". Sëmundja kërkon një kujdes të veçantë, pasi rreth shtatë milionë njerëz vdesin çdo vit në të gjithë botën për shkak të presionit të lartë arterial. Kjo pasi hipertensioni është faktori kryesor i riskut për sëmundjet e zemrës, infarktin, sëmundjet e veshkave dhe diabetin. Deri pak vjet më parë më të rrezikuarit për tu prekur nga hipertensioni klasifikoheshin moshat e rritura mbi 50 vjeç, por fatkeqësisht ky kufi sot ka ndryshuar së tepërmi duke bërë që në listën e të prekurve të renditen e moshat e reja.

Rreziqet

Lidhur me përhapjen e kësaj sëmundjeje mjekët sqarojnë se në përgjithësi zhvillohet pa ndërlikime të dukshme në stadet e hershme, por në raste të tensionit të lartë paraqet simptoma të tilla që kanë të bëjnë me dhimbje koke, humbje ekuilibri, urinim i shpeshtë dhe etje e theksuar, dhimbje dhe ndjenjë rëndesë në gjoks, pagjumësi, dobësi muskulore etj. Një numër i konsiderueshëm i të sëmurëve nga hipertensioni rrezikojnë të pësojnë hemorragji cerebrale si pasojë e mosqarkullimit si duhet të gjakut nëpër trup, ndërsa një pjesë tjetër e konsiderueshme përballen edhe me infarkte në zemër. Një hipertension i pakontrolluar rrezikon edhe veshkat, rëndimin e diabetit, duke shfaqur edhe një sërë komplikacionesh të tjera. Për këtë mjekët këshillojnë mbajtjen në kontroll të rreptë të hipertensionit për të minimizuar pasojat fatale të jetës. Një ndër faktorët problematikë që po shton të prekurit nga kjo sëmundje renditet edhe stresi që kalojmë në jetën e përditshme. Stresi ndikon në rritjen e tensionit të gjakut tek të gjitha moshat, por më të rrezikuarit janë personat e brezit të tretë, pasi kapilarët e tyre janë më të fortë, me shumë pak elasticitet për shkak të moshës.

Kujdes me peshën

Të qenët mbi peshë mund të çojë në hipertension, i cili më pas mund të çojë në infarkt, insufiçencë kardiake, aneurizëm, diabet të tipit 2, forma të ndryshme të kancerit dhe insufiçencë renale - sëmundje këto që mund të jenë të gjitha fatale. Kështu, nëse i kushtoni vëmendje peshës suaj, kjo mund tju ndihmojë të keni një shëndet më të mirë në përgjithësi. Dy mënyra të mira për të kontrolluar peshën tuaj janë matja rregullisht e perimetrit të belit tuaj dhe matja e indeksit të masës trupore. Perimetri i shëndetshëm i rekomanduar i belit për meshkujt e rritur është më pak se 95 cm (38 inç) dhe për femrat e rritura është më pak se 95 cm (38 inç). Problemet me peshën po shfaqen edhe te fëmijët, ku gjithnjë e më tepër po evidentohen fëmijë obezë.

Kur duhet të shqetësoheni

Për të kontrolluar peshën tuaj trupore duhet të matni indeksin matës trupor, ose BMI-në, siç njihet ndryshe. Indeksi i masës trupore është një tregues që përcakton statusin e peshës mesatare të një personi. Për të llogaritur indeksin e masës suaj trupore matni peshën (në kg) dhe pjesëtojeni atë me gjatësinë tuaj (në katror) (në kg/m2). Nëse raporti del më pak se 18.5, jeni nën peshë; nga 18.5 deri në 24.9 jeni i shëndetshëm; nga 25-29.9 jeni mbi peshë; nga 30-39.9 jeni obezë dhe nga 40 e më shumë jeni shumë mbi peshë e për rrjedhojë përballeni me një sërë problemesh shëndetësore, ku një ndër to është edhe hipertensioni.

Kujdes me kripën

Konsumi i lartë i kripërave nga ushqimet është shkaku kryesor i hipertensionit për 3 nga 10 të rritur. Sodiumi, apo ndryshe kripa, mund të jetë një tërheqëse fatale. Për të minimizuar këto rreziqe pakësoni marrjen e kripërave sa më shumë që të jetë e mundur. Kështu, mos shtoni kripë gjatë gatimit dhe largojeni kriporen nga tavolina e ngrënies, përpiquni të përdorni ushqime jeshile e të freskëta, si dhe erëza të thara në vend të kripës. Në vend që të blini salca të gatshme të ngopura me kripëra, argëtohuni duke përgatitur salcat tuaja vetë, si dhe lexoni etiketat e ushqimeve për të parë sasinë e kripërave në to. Për të shmangur pasojat fatale duhet të matni vazhdimisht atë dhe nëse është i lartë, drejtohuni te mjeku për një kontroll më të plotë. Nëse jeni duke marrë mjekime, sigurohuni që ti merrni ato rregullisht dhe konsultohuni me mjekun tuaj për mënyrat se si mund të bini në peshë.

Kujdes!

Konsumi i lartë i kripërave nga ushqimet është shkaku kryesor i hipertensionit për 3 nga 10 të rritur. Sodiumi, apo ndryshe kripa, mund të jetë një tërheqëse fatale për shëndetin. Aktualisht rreth 80% e kripërave që konsumojmë vjen nga ushqimet e paketuara, ushqimet e shpejta apo ato të konsumuara në restorante. Kështu, përdorimi i produkteve të tilla duhet të jetë sa më i paktë dhe nën vëzhgim nga mjeku specialist.

Simptomat

Ndër më të zakonshmet janë:

dhimbja e kokës e marramendja;

ndihet dhimbje dhe ndjenjë rëndese në gjoks;

shfaqet me pagjumësi e dobësi muskulore;

urinim i shpeshtë dhe etje e madhe;

manifestohet dhe me humbje ekuilibri.

Mbajtja nën kontroll e peshës

pakëson riskun për hipertension

• Në kontrollimin e peshës nuk bëhet fjalë për dietë drastike, por për mbajtjen e një stili të shëndetshëm jetese.

• Hani ushqime me ngjyra nga më të ndryshmet të ylberit. Rritni sasinë e konsumit të frutave dhe perimeve.

• Hani fruta dhe bajame në formën e tyre natyrale si vakte të ndërmjetme.

• Jini fizikisht aktivë. Përpiquni të ecni, ti jepni biçikletës apo të notoni për rreth 30-60 min. në pjesën më të madhe të javës.

• Ulni konsumin e ushqimeve si djathi, patatet e skuqura, proshuta, salcat e tavolinës, bajame të kriposura dhe ushqime të konservuara.

• Hani më pak ushqime të përpunuara dhe ushqime të shpejta, si biskota, drithëra të përpunuara, bukë, hamburger, kek, byrek dhe pica.

• Ndërgjegjësohuni për vlerën e treguesve të përbërjes në etiketat e ushqimeve që konsumoni - mësoni se çfarë po hani.

• Përgatisni së paku një vakt vegjetarian në javë.

• Mos hiqni dorë nga vaktet e ushqimit. Hani tri vakte të përshtatshme ushqimi në ditë.

• Ulja e porcionit të ushqimit dhe shmangia e karbohidrateve të panevojshme është një rrugë e lehtë për të ulur peshën pa u ndier i privuar nga ushqimi.

• Nëse pini, mos konsumoni me shumë se 2 pije alkoolike në ditë.

• Hiqni dorë nga duhani.

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›