Sa turp!

Ka shkaktuar mjaft polemika vendimi i kryeministrit italian Silvio Berluskoni, për të mbuluar gjoksin e zhveshur të pikturës së famshme të Xhambatista Tiepolit. Kavalieri pati zgjedhur pikturë 254-vjeçare, “Koha zbulon të vërtetën”, si sfond në sallën e konferencave të Kryeministrisë. Por Berluskoni, në kabinetin e të cilit ndodhet një ish-modele, mendoi se gazetarët dhe kamerat televizive do të hutoheshin nga piktura e zhveshur, ndaj vendosi që ta zëvendësojë origjinalin, i cili tashmë ndodhet në një pallat të Vinçencës, me një kopje që mbulon “gjoksin ofendues”. Por ashtu siç pritej, vendimi i tij ka shkaktuar reagime mes artdashësve. Xhankarlo Galan, guvernatori i rajonit të Venecias, tha se nuk është mirë që të ofendohet një piktor si Xhambatista Tiepolo. “Zyra e kryeministrit ka ofenduar një prej artistëve më të mëdhenj të lirisë. Autori i këtij veprimi grotesk dhe absurd duhet të ndëshkohet, pasi ka ofenduar një artist të madh”, - tha ai. Kur piktura u shfaq e mbuluar dy ditë më parë, gazetarë e analistë italianë nxituan të kritikonin veprimin absurd, siç e cilësuan ata të kryeministrit. I famshmi Vitorio Zgarbi e quajti një çmenduri të vërtetë. “Duhet shumë kurajë të vësh duart mbi një pikturë të Tiopolos, edhe pse është një kopje. Por atëherë, çfarë duhet të bëjmë me gjithë ato statuja me femra të zhveshura që ndodhen nëpër muzetë italiane, ku shpesh admirohen gjokse që lënë pa mend edhe vetë Pamela Anderson”, - tha kritiku. Nënsekretari në kryeministri, Paolo Bonaiuti, nxitoi të justifikohet para medieve, duke thënë se ishte një iniciativë e stafit të kryeministrit, më saktë atyre që kujdesen për imazhin e Berluskonit. Mediat italiane nuk lënë pa përmendur edhe faktin mjaft interesant, se Berluskoni u ndihmua për zgjedhjen e kësaj pikture nga arkitekti i tij më i afërt, Mario Katalano, mbase krejt rastësisht skenografi i programit televiziv “Colpo Grosso”, i transmetuar në vitet 1987-1991, ku vajzat me maska zhvisheshin duke kënduar.