Marash Logu: Taulant Balla përdor nxënësit për një aktivitet politik në Kamëz. Shkollat nuk janë zyra të PS

Partia Demokratike akuzon të dërguarin politik të Edi Ramës në Kamzë, Taulant Ballën se, kanë përdorur rrjetin e qeverive të nxënësve për të organizuar një aktivitet me karakter politik, në prag të nisjes së vitit të ri shkollor.
Sekretari për Çështjet Ligjore në PD, Marash Logu, e konsideron këtë një një skandal dhe keqpërdorim të institucioneve arsimore dhe të nxënësve për qëllime politike, duke kërkuar hetim penal ndaj drejtuesit politik të PS për Tiranën, Taulant Balla, dhe kryetarit të Bashkisë Kamëz, Rakip Suli.
Reagimi i plotë:
Drejtuesi politik i Partisë Socialiste, Taulant Balla dhe kryetari i Bashkisë Kamëz, Rakip Suli kanë ngarkuar rrjetin e qeverive të nxënësve për të organizuar një takim politik në prag të fillimit të vitit shkollor, duke i trajtuar shkollat si të ishin zyra të Partisë Socialiste, ndërsa nxënësit si të ishin militantë apo patronazhistë partie.
Detyrimi apo organizimi për të marrë pjesë në veprimtari politike i nxënësve të arsimit parauniversitar nga funksionarët publik përbën vepër penale, të dënueshme deri në tre vjet burgim. Taulant Balla dhe Rakip Suli duhet të ndiqen penalisht, ndërsa Ministria e Arsimit, Zyra Arsimore dhe shkollat duhet të distancohen publikisht nga aktivitete të tilla.
Shkollat duhet t’i shërbejnë dijes dhe jo propagandës. Nxënësit nuk janë dekor për takime politike, nuk janë turmë për fotografi, nuk janë aset elektoral për partinë në pushtet. Partia Demokratike dënon me forcë këtë sjellje të Taulant Ballës dhe Rakip Sulit, dhe fton qytetarët e Kamzës, prindërit, mësuesit dhe nxënësit që t’i japin përgjigjen e merituar kësaj dyshe banditësh që keqpërdorin fëmijët për qëllimet e tyre personale dhe politike.
Kamza do të çlirohet shumë shpejt nga dyshja Balla-Suli!